Besueshmëria në ekonomi, qytetarëve iu kursehen 20 milionë euro taksa në vit

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ – Taksapaguesit shqiptarë do të mund të kursejnë 20 milionë euro borxhe nga xhepat e tyre, pasi Shqipëria ka rritur nivelin e besueshmërisë në tregjet ndërkombëtare dhe është renditur ndër vendet me stabilitet dhe ekonomi të qëndrueshme.

Ndërsa renditi investimet e kryera në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, deputeti socialist Ervin Bushati ndau shifra investimesh nga ku tha se këto të fundit do të rriten pas besueshmërisë që vendi ynë tregoi në tregjet ndërkombëtare.

“Në Ujësjellës-Kanalizime në shifra rekord 392 milionë kanë përfituar 1.3 milionë njerëz. Për të ndihmuar ekonominë, biznese shqiptare, sipërmarrësit shqiptarë janë investuar 170 milionë euro ku kanë përfituar 200 mijë biznese shqiptare. Kjo tregon se tregjet ndërkombëtare kanë një besueshmëri në rritje drejt Shqipërisë. Shqipëria në hapa të sigurt, në hapa të matura, është sot për partnerët strategjikë një vend ku ja vlen të investosh. Ajo që ka ndodhur para disa ditësh, me eurobondin ka qenë histori suksesi, sepse ne sot jemi mesatarisht 214% më të besuar se në 2010. Gjithashtu, në krahasim me 2015 kemi përmirësim me 64%. Pra, 3.50% ka qenë interesi i eurobondit në një masë 7 vjeçare, 500 milionë euro, në krahasim me 5.75 që ishte në 2015”, – tha ndër të tjera Bushati.

Sipas deputetit socialist, kjo e fundit përkthehet tek qytetarët si përfitim real në para, pra më shumë para që kursehen.

“Në radhë të parë ajo që kursehet nga taksat e qytetarëve shqiptare, pra që do të shkonin për interesa për të paguar borxhe do të ishte 20 milionë euro në vit që në do paguanim nëse interesi do të ishte njësoj, si në kohën e Saliut, apo në krahasim me 2015 ne sot paguajmë 11.25 milionë euro më pak se 2015”, – tha deputeti socialist, në fjalën e mbajtur në seancën plenare të së enjtes.

Sipas Bushatit, performimi i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare do të tërheqë edhe kompani të huaja për të investuar në një vend me ekonomi të qëndrueshme si Shqipëria.

“Sot Shqipëria po performon në skemën financiare me nivel besueshmërie njësoj se ekonomitë shumë më të stabilizuar se ne, si italianët apo grekët apo më mirë se gjithë ekonomitë e rajonit. Stabiliteti politik, pra kemi një mazhorancë që mund të miratojë të gjitha reformat pa pasur nevojë për të shtyrë reformat sipas orekseve politike. Para disa orësh ka dalë raporti i Bankës Botërore ku vlerëson me nota pozitive për Shqipërinë ku ridimensionohet, pra ngrihet parashikimi nga 3.5 në 4%. Ne kursejmë dhe investojmë më shumë nesër në shkolla, spitale, rrugë 11 milionë euro të përfituara në vit, vetëm nga ndryshimi i normës së interesit. Pra, këto nuk janë operacione financiare të kryera në ajër por të gjitha kanë efekt për publikun”, – u shpreh Bushati, lidhur me përfitimet e qytetarëve nga këto nota pozitive që Shqipëria ka marrë nga tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, besueshmëria e Shqipërisë në tregje fton jo vetëm sot, por edhe nesër kompani më të mëdha për të bërë investime strategjike në Shqipëri.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.