Balla: Opozita kërkoi pazar për të ndryshuar 7 ligjet e Vetingut

TIRANË, 4 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Nëse opozita do të donte Vetingun dhe Reformën në Drejtësi, ajo do të ishte sot në Kuvend për të miratuar shtesën e fondit për tre institucionet e Vetingut”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke theksuar se “tre vendimet e sotme të Kuvendit janë vijim i mbështetjes së pakufizuar që kjo qeveri dhe maxhorancë i jep Vetingut”.

“Nga të treja institucionet bazë të Vetingut, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisioni i Apelimit dhe Komisionerët Publikë është kërkuar mbështetje në forcimin e kapaciteteve njerëzore të këtyre institucioneve. Kjo përkthehet në një shtesë në faturën financiare nga buxheti i shtetit”, – tha Balla.

Ai theksoi se “mazhoranca po e jep këtë shtesë fondi që këto 3 institucione jo vetëm ta vijojnë punën me intensitet, por edhe të rrisin shpejtësinë, sepse shqiptarët mezi presin”.

“Ky është dallimi ynë me ata që duan të gjejnë alibinë për të ikur nga Kuvendi i Shqipërisë apo nga zgjedhjet lokale, sepse e dinë që nuk kanë lidership, nuk kanë alternativë. Lulzim Basha jo vetëm mori në qafë partinë e tij, por edhe partinë e Monikës dhe sot mungojnë për t’i dhënë mbështetje Vetingut, – tha Balla, duke shtuar se, – kjo mazhorancë e ka bindje, seriozitet e gatishmëri për ta çuar deri në fund Reformën në Drejtësi”.

Sipas Ballës, në nisjen e këtij sesioni parlamentar “PD kërkoi pazar për të ndryshuar 7 ligjet e Vetingut”. “Ne nuk bëhemi kurrë pjesë e një pazari, sepse nuk do të bëjmë kurrë pazar në kurriz në Vetingut. Pasi nuk morën asnjë përgjigje, opozita hyri në një diskutim që ka përfunduar që ditën e parë që kemi miratuar Reformën në Drejtësi”, – tha Balla.

Reforma në drejtësi, sipas tij, ka në thelb të vetë dhe objektivin fundor Vetingun në politik. “Por ne nuk pranojmë Veting të politikës pa u hetuar korrupsioni dhe pasuritë 27-vjeçare të familjarëve të politikës. Opozita solli para Vetingut një trung me ferra për të bllokuar Prokurorinë Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, – tha Balla.

Ai solli në vëmendje shembullin e Rumanisë ku 13 ministra dhe 33 deputetë e senatorë u vendosën nën hetim nga funksionimi i Prokurorisë Antikorrupsion dhe Byrosë së Hetimit.

Lidhur me akuzat e ngritura nga opozita për çështjen “Nuhu”, ai tha se “në vitin 2018 nuk bëhet politikë me baltë dhe shpifje”. “Thirrja ime sot ndaj Prokurorisë është të hetojë deri në fund edhe shpifjen më të fundit. Prokuroria të hetojë menjëherë. Mjaft më me muaj për të zbardhur një çështje thellësisht e zbardhshme brenda pak ditësh. Unë, Rrahman Raja kemi qenë apo jo në komisariat, kjo vërtetohet lehtësisht”, – tha Balla.

Ai siguroi se kjo do të jetë historia e radhës e turpit të Lulzim Bashës, të cilin e akuzoi po ashtu për shantazhin që i bën bizneseve në këmbim të parave për kompaninë e kunatit të tij. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.