Austria, mbështetje Shqipërisë në rrugëtimin integrues në Europë

TIRANË, 4 tetor /ATSH – Gjergji Mima/ – Austria ka mbështetur Shqipërinë në mënyrë të vazhdueshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimit Europian.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrja Federale për Europën e Austrisë, Karin Kneissl zhviluan sot një takim mes tyre.

Ministri Bushati shprehu, “vlerësimin më të lartë për punën e Presidencës austriake në BE dhe mbështejten e vazhdueshme të përditshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE”.

“I shpreh falenderimin më të madh Ministres për mbështetjen e saj personale që i ka dhënë Shqipërisë”, tha Bushati duke falenderuar ministren austriake, Karin Kneissl.

“Do të donim që nisja e bisedimeve për anëtarësim në BE të kishte qenë gjatë Presidencës së Austrisë, por kemi nisur procesin screening javën e shkuar”, – tha Bushati.

Së dyti, u shpreh ministri Bushati, “ky është viti kulturor mes Austrisë dhe Shqipërisë. Disa aktivitete të rëndësishme po zhvillohen dhe dua t’i shpreh mirënjohjen Ambasadës austriake dhe Ambasadës tonë në Vjenë që bashkëpunojnë për ta kthyer këtë vit në një vit suksesi”.

Gjithashtu Bushati theksoi se në takim u diskutua edhe për sfidat e rajonit. “Kemi diskutuar, jo vetëm stadin e marrëdhënieve shumë të mira, por kemi marrë në shqyrtim situatën në rajon. Pikat më të mprehta të sigurisë dhe me fokusin e qartë të Austrisë që vendet tona të përparojnë drejt BE”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.