Ahmetaj: Reformat po përkthehen në paketa lehtësuese për qytetarët

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ – Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj theksoi sot në Kuvend se falë reformave të ndërmarra nga qeveria vendi nuk u prek nga kriza ekonomike, por ka arritur një rritje prej 4.5%.

Në fjalën e tij gjatë diskutimeve për projektligjin për investimet e huaja direkte, Ahmetaj theksoi se “ekonomia e Shqipërisë ka për të kaluar akoma teste, mos harroni që vendet e rajonit dhe të gjithë partnerët tanë tregtarë të mëdhenj si Italia po kalojnë problematika, të cilat në çdo rast, nëse nuk do kishim bërë reformat një nga një të gjitha nga energjia, pensionet, makroekonomia, drejtësia, territorialja, do na kishin prekur”.

“Jo vetëm kemi qenë imunitarë ndaj të gjithë problematikave që mund të shkaktonin një krizë apo një ngadalësim në ekonominë e Shqipërisë, jo vetëm që e përballuam, por po rritemi me 4.3-4.5%”. Çdokush mund të thotë që mburreni”, – nënvizoi Ahmetaj, duke shtuar se nuk po mburremi, po themi që e nisëm nga zero dhe shkuam në 4.3-4.5%.

Ministri Ahmetaj u shpreh se “për shkak të reformave po vijmë këtu një muaj përpara buxhetit dhe janë në tryezë paketa që nuk ishin menduar kurrë këtu; siç është bonusi i bebeve, që shkon në drejtimin e duhur për të ndihmuar rritjen demografike të Shqipërisë, paketa e rritjes së pagave për infermierët, mjekët, ushtarakët, arsimin”.

“Paketa e solidaritetit për pensionistët që bën të mundur që fondi i pensionit të rritet çdo vit me 5%, librat falas, 190 mijë nxënës që shkojnë përditë në shkollë me libra falas, 600 mijë të pasiguruar që përfitojnë rimbursim ilaçesh të lënë dje në mes të rrugës dhe shumë e shumë pakteta të tjera që janë bërë të mundura vetëm për shkak të reformave. Vetëm për shkak të asaj që kemi bërë këto katër vjet dhe do të vazhdojmë të bëjmë në vitet që vijnë”, – tha Ahmetaj. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.