Zv/kryeministrja Mesi: Shërbime të aksesuesshme për çdo qytetar

TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Zëvendëskryeministrja Senida Mesi në kuadër të vizitës në Portugali u takua me Sekretaren e Shtetit për Administratën dhe Punësimin Publik, Maria de Fátima Fonseca.

Gjatë takimit, Mesi e njohu Fonseca me ecurinë dhe dinamikën e Reformës në Administratën Publike në Shqipëri.

Mesi dhe Fonseca ranë dakord mbi rëndësinë e ngritjes së një sistemi eficient të menaxhimit të performancës së nëpunësve të administratës shtetërore dhe institucioneve.

“Një sistem i tillë, jo vetëm do të jetë inovativ dhe i bazuar në shpërblime motivuese për çdo nëpunës, por do të përkthehet në fund në objektivin tonë kryesor, atë të ofrimit të shërbimeve cilësore, transparente dhe të aksesueshme për çdo qytetar”, bën të ditur zëvendëskryeministrja Mesi./k.s/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.