Ministria e Brendshme: Deklarata e PD me sfond politik, pengon të vërtetën

Reagim i Ministrisë së Brendshme për akuzat e Alibeajt

TIRANË, 3 tetor/ATSH- A. Fortuzi/- Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike, përmes deputetit Enkelejd Alibeaj, lidhur me prishjen e hetimeve për rastin “Xhisiela”.

Sipas Ministrisë së Brendshme, PD-ja po vijon të sulmojë me fakte të deformuara dhe të hedhë baltë pafund mbi Policinë e Shtetit.

“Për çdo kërcënim të pretenduar, Policia e Shtetit ka kryer veprimet procedurale në mënyrë profesionale dhe ka referuar dosjen për ndjekje të mëtejshme në Prokurori. E ka bërë këtë me denoncuesen Xhisiela Maloku, edhe pse ajo u tërhoq nga kallëzimi, që prej datës 23 korrik 2018, e ka bërë këtë edhe me denoncimin e ish-oficerit që braktisi detyrën, Emiljano Nuhu, që prej 30 korrikut 2018”, theksohet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

“Çdo veprim i Policisë së Shtetit dhe i SHÇBA-së, që është investuar që nga momenti i parë i bërjes publike të pretendimeve, janë transparente dhe të referuara në Prokurori. Hetimet po drejtohen nga ky institucion dhe janë deleguar një sërë veprimesh, që ndihmojnë për zbardhjen shpejt të ngjarjes, zbardhjen e plotë të rrethanave, sqarimin e çdo pikëpyetjeje të publikut dhe ajo që është më e rëndësishmja, të përballen personat e implikuar me përgjegjësitë penale”, shkruhet në deklaratë.

“Në respekt të publikut, SHÇBA-ja sqaron se janë marrë në pyetje jo vetëm punonjësit e Policisë në Krujë, Fushë-Krujë, Durrës, Berat e Tiranë, por edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për faktet”, vijon deklarata.

“Referuar deklarimeve të zyrtarit të radhës së PD-së, është realisht e provuar edhe me dokumente, se pretendimi për kërcënim i ish-oficerit Nuhu është duke u hetuar që nga momenti i parë i denoncimit. Dhe këtë hetim nuk po e drejton Policia, por Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet më tej.

“Gjithashtu, i rikujtojmë juristit Alibeaj, se në momentin kur çështja referohet në Prokurori është vetëm ky institucion Zot i saj, dhe Policia e Shtetit është vetëm në funksion të hetimit. Të gjitha deklaratat dhe akuzat me sfond të qartë politik janë vetëm përpjekje për të intimiduar agjencitë ligjzbatuese dhe vonuar apo penguar zbardhjen e së vërtetës”, lexohet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.

“Koha kur Ministra, firmosnin urdhra drejtuar Prokurorisë dhe bëheshin Zot të çështjes, për të mbuluar paudhësitë e qeverisjes së kohës, nuk ekziston. I kujtojmë z. Alibeaj, me gjithë sikletin që mund të ketë patur, se publiku e ka ende të freskët skandalin ligjor të ish-ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës, për një dosje që shqetësonte pushtetin e kohës”, i kujton deputetit të PD, Ministria e Brendshme në deklaratën e saj.

“Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbeten të hapura, transparente dhe nxisin fort Prokurorinë për të zbardhur shpejt të vërtetat dhe rrethanat për gjithë akuzat e ngritura”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Brendshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.