Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Bushati: Vullnet për të tejkaluar stereotipet negative

Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Bushati: Vullnet për të tejkaluar stereotipet negative

Nuk është sekret të thuhet dhe as surprizë që më bëri paksa përshtypje fjala e mikut tim Ivica Daçiç, i cili e konsideronte Kosovën si 'djepin apo thelbin e kombit serb dhe shqiptarët si njerëz që jetojnë jashtë atdheut'. Megjithë respektin për postin e rëndësishëm që miku im mban në qeverinë dhe shtetin serb, duhet të them se kjo retorikë e sheküllit 19 nuk i bën nder gjithë diskutimeve të sotme që janë të përqendruara te procesi i normalizimit, i stabilizimit dhe hapjen e një perspektive të qartë për pajtimin", tha Bushati.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Ka një tendencë dhe vullnet për të tejkaluar stereotipet negative që shpeshherë shoqërojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, apo shqiptarëve dhe serbëve në rajon”.

Këtë deklaratë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, e bëri në konferencën e organizuar sot në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia e lajmeve serbe, Tanjug, me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”.

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, theksoi Bushati, shkojnë përtej raporteve që janë vendosur gjatë këtyre viteve.

“Mund të jetë një marrëdhënie normale mes dy fqinjëve që zhvillohet në mënyrë progresive, ka ulje-ngritje dhe frymë polemizuese, mund të konsiderohen ende marrëdhënie të brishta që mund të vihen në pikëpyetje nga një incident, por nuk vihen në pikëpyetje nga deklaratat e Sheshelit”, – tha Bushati.

Po ashtu, sipas tij, “janë marrëdhënie dinamike me potencial të paeksploruar mirë, siç tregojnë edhe të dhënat e fundit që dëshmojnë për një frymë pozitive sa i përket zhvillimit të sektorit të turizmit, ku gjithnjë e më shumë serbë e konsiderojnë Shqipërinë si destinacion turistik”.

Bushati theksoi po ashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në progres e sipër, sepse programet e mobilitetit po zbatohen duke i dhënë frymë edhe konceptit të ndërlidhjes në kuadër të Procesit të Berlinit, ku dy arteriet kryesore të programit të ndërlidhjes kanë si boshte kryesore Shqipërinë dhe Serbinë.

Ministri Bushati theksoi se mes dy vendeve ka pika të përbashkëta sa i takon pakicave. Ai theksoi se “ka një pakicë serbe në qarkun e Shkodrës, sikundër ka edhe një pakicë shqiptare në Luginën e Preshevës”.

Kryediplomati shqiptar vuri në dukje hapat pozitive të ndërmarra nga qeveria shqiptare me miratimin e ligjit për pakicën kombëtare, dhe ndarjen mes pakicave serbe dhe malazeze, që nuk është një gjë e lehtë edhe për shkak të martesave të përziera.

Por, Bushati theksoi se “ne do të mirëprisnim çdo hap pozitiv që hidhet në drejtim të gëzimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Jo rrallë ndodh të lexojmë raporte edhe të KE-së, për të kuptuar se Lugina e Preshevës është lënë në harresë nga pjesa tjetër e Serbisë, edhe në planin ekonomik, duke lënë një shije diskriminuese. Ky është një dialog dhe të vërtetat duhen thënë. Rasti i Luginës së Preshevës, është rasti i të vërtetave të hidhura ku kërkohet një vendimmarrje më e shtuar politike si përmes procesit të lënies në harresë të njohjes së diplomave, edhe të gëzimit të një të drejte që ka lidhje me mësimin në gjuhën amtare”, – tha Bushati.

Duke u ndalur te pikat e përbashkëta sa i takon mobilitetit, Bushati nënvizoi vendosjen e shfaqjes Romeo e Zhuljeta në Beograd apo në Tiranë, koncertin e Inva Mulës në Beograd, apo promovime të ndryshme librash.

Duke u ndalur te vokacioni perëndimor i Shqipërisë, Ministri Bushati u shpreh se “pas rënies së komunizimit, asnjë qeveri në Shqipëri nuk e ka vënë në pikëpyetje vokacionin perëndimor të Shqipërisë”. Ndërkohë Serbia, tha ai, nuk e ka ende të kristalizuar rrugën e saj në raport me NATO-n dhe familjen transatlantike. “Natyrisht ne na mbetet veçse të respektojmë qasjen e saj neutrale, e cila duket se u konfirmua edhe dje nga Presidenti Vuçiç në takimin me Presidentin rus, Putin.

Por nga ana tjetër duhet që t’i kujtojmë miqësisht Serbisë që në rrugën e procesit të integrimit europian, vendet kanë disa detyra në raport të linjëzimit të politikës së jashtme apo me politikat e sigurisë”, – tha Bushati. Ministri u ndal edhe te iniciativat rajonale ku dy vendet bashkëpunojnë ngushtësisht. “Iniciativat rajonale që janë zhvilluar që kur Kancelarja Merkel inicioi Procesin e Berlinit, kanë të bëjnë jo vetëm me axhendën e ndërlidhjes, por edhe me bashkëpunimin në fushën rinore”.

“Dy seli rajonale janë në Tiranë, njëra drejtohet nga një serb dhe nëndrejtori është kosovar, tjetra nga shqiptar. Ka shenja që vendet tona duhet t’i tejkalojnë plagët e së kaluarës”, tha Bushati.

Por, kryediplomati shqiptar, iu referua deklaratës së homologut serb, Ivica Daçic, në konferencën e organizuar para dy muajsh në Beograd, nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug dhe ATSH, mbi marrëdhëniet mes dy vendeve. “Teksa përgatitesha për këtë aktivitet, siç ndodh rëndom në të gjitha ministritë e jashtme, ekipi i Ministrisë së Jashtme po lexonte edhe çka kishte ndodhur para dy muajsh në Beograd. Nuk është sekret të thuhet dhe as surprizë që më bëri paksa përshtypje fjala e mikut tim Ivica Daçiç, i cili e konsideronte Kosovën si ‘djepin apo thelbin e kombit serb dhe shqiptarët si njerëz që jetojnë jashtë atdheut’. Megjithë respektin për postin e rëndësishëm që miku im mban në qeverinë dhe shtetin serb, duhet të them se kjo retorikë e shekullit të 19-të nuk i bën nder gjithë diskutimeve të sotme, që janë të përqendruara te procesi i normalizimit, i stabilizimit dhe hapjen e një perspektive të qartë për pajtimin”, – tha Bushati.

Procesi i normalizimit, sipas tij, duhet t’i hapë rrugën procesit të pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Kur flitet për marrëdhënien shqiptaro-serbe, apo Shqipëri-Serbi është shumë e vështirë të injorohet elefanti në dhomë, Kosova”, tha Bushati. Kosova, sipas tij, ka përfaqësuesit e saj legjitim që flasin në emër dhe për interesin e Kosovës, por qëndrimi i Shqipërisë në këtë pikë është gjithashtu shumë i qartë. “Procesi i normalizimit është një proces shumë i vështirë mes Serbisë e Kosovës, që zhvillohet në ndërmjetësimin e përfaqësueses të lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini, me mbështetjen e SHBA-së, nuk është një proces që mund të zëvendësohet nga një raport i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë, por vetëm mund të përplotësohet nga një raport edhe më i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë”, tha Bushati. Ndaj çdo tentativë për ta sjellë këtë çështje si pjesë të dy shteteve, si pjesë e Shqipërisë dhe Serbisë në tryezën e tyre, sipas Bushatit, do të ishte një shërbim shumë i dëmshëm për vetë procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës. “Ne kemi besuar te fuqia e diplomacisë dhe dialogut dhe shpresojmë që procesi i normalizimit të sjellë më shumë stabilitet demokratik, më shumë siguri për themelet e rendit ndërkombëtar dhe për investimin e vetë komunitetit ndërkombëtar në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Ministri Bushati shprehu besimin se procesi i dialogut dhe normalizimit duhet të përfundojë me një njohje të ndërsjelltë dhe duhet të ndriçojë rrugën europiane të Serbisë dhe Kosovës. “Pajtimi nuk është për ne një dallim semantik, mes procesit të normalizimit dhe procesit të pajtimit. Normalizimi ka të bëjë me përditshmërinë e qytetarëve, si zhbllokimi i zonave të caktuara, aksesin në shërbime në tregun rajonal që BE kërkon ta promovojë sa më shumë etj. Ndërsa procesi i pajtimit është edhe më i gjerë dhe më i dhimbshëm”, – tha Bushati. Ai vlerësoi hapat që janë hedhur në Serbi për të trajtuar të shkuarën, si dhe hapat që janë hedhur në Kosovë, në Bosnje Hercegovinë apo dhe në zona të tjera që janë prekur nga konflikti. “Sot ne po jetojmë kohë më të vështira, ndaj duhet të jemi më shumë solidarë me njëri-tjetrin duke ia thënë të vërtetat në sy. Në shekullin e 21 është mundësia më e mirë që ne të transformohemi nga armiq të dikurshëm, në fqinj të vërtetë, në ditë të mira dhe në ditë të vështira”, – tha Bushati.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.