Denoncimi i Nuhut, reagon Prokuroria e Përgjithshme

173

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ – Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar sot për denoncimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu, duke pohuar se ka marrë letrën e ish-nënkomisarit, të cilën më pas ja ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e tij se është kërcënuar.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në Prokurorinë e Tiranës ka një procedim ku Nuhu pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja, duke bërë që Prokuroria të administrojë të dhënat filmike dhe shkresore.

Deklarata e plotë e Prokurorisë së Përgjithshme

Prokuroria e Përgjithshme sqaron se pranë saj, është dërguar për dijeni, letra e nënkomisarit të policisë Emiljano Nuhu. Pavarësisht se shkresa e nënkomisarit Nuhu është e dërguar për dijeni, Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar materialin Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të kryer verifikimet e nevojshme mbi pretendimet e kërkuesit Emiljano Nuhu, për kërcënimet dhe frikën për jetën.

Sipas parashikimeve të ligjit nr.10173, datë 22.10.2009 “Për Mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë” është kërkuar të vlerësohet situata e paraqitur nga kërkuesi Emiljano Nuhu. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka informuar se pranë kësaj prokurorie është regjistruar procedimi penal Nr.7103 për veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

Ky procedim është regjistruar mbi bazën e referimit të Komisariatit të Policisë nr. 6 mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Emiljano Nuhu.

Në kallëzim, sikurse në shkresën e dërguar për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme, kallëzuesi pretendon se është kanosur për shkak të detyrës nga ana e shtetasve Rrahman Rraja dhe Rexhep Rraja. Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal janë administruar të dhëna shkresore, janë këqyrur pamje filmike si dhe janë pyetur persona që kanë dijeni për ngjarjen.

Hetimi vijon me intensitet në drejtim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, evidentimit të faktit penal dhe personave të dyshuar si të përfshirë.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.