Bregu: Bashkëpunimi rajonal, domosdoshmëri për të shfrytëzuar asetet e përbashkëta

Bregu: Bashkëpunimi rajonal, domosdoshmëri për të shfrytëzuar asetet e përbashkëta

"Sot bashkëpunimi rajonal nuk shihet si një kusht i vendosur nga Bashkimi Europian për të çuar përpara rajonin tonë, por si një domosdoshmëri për të zhvilluar atë që kemi aset të përbashkët", theksoi sot sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 3 Tetor 2018

TIRANË, 3 tetor/ATSH/- “Sot bashkëpunimi rajonal nuk shihet si një kusht i vendosur nga Bashkimi Europian për të çuar përpara rajonin tonë, por si një domosdoshmëri për të zhvilluar atë që kemi aset të përbashkët”, theksoi sot sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu.

Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare, që po zhvillohet në Tiranë me temë “Serbët dhe Shqiptarët – Në cilin drejtim?”, të organizuar nga Agjencia Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, Bregu theksoi “më vjen mirë që ka një koncept tjetër sot për bashkëpunimin rajonal, deri disa vite më parë shihej si një nga kushtet që BE i vinte për procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, forcimit të mesazhit që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kishin një marrëdhënie më të mirë më njëri tjetrin dhe të largoheshin nga retorikat e vjetra nacionaliste, që i linin peng të një stanjacioni gati të përhershëm dhe asnjëherë për të parë përpara”.

“Në këtë rajon jetojnë rreth 18 milionë qytetarë që e njohin shumë pak njëri- tjetrin. Ajo që më bëri përshtypje nga studimi i Tanjug është se ne dimë shumë pak për njëri-tjetrin.
Në rast se nuk do të kemi një perspektivë tjetër për ta njohur njëri- tjetrin tani , ndryshe, dhe për të zhvilluar bashkëpunimin rajonal në termat e ekonomisë , ekonomia dhe marrëdhëniet njerëzore i sjellin njerëzit më afër dhe më shpejt nganjëherë edhe  sesa politikanët, pavarësisht retorikave të tyre që do të donin të ndodhte”, theksoi Bregu.

Më vjen mirë, vijoi ajo, që ka edhe një vëmendje nga liderët politikë të rajonit për të kuptuar që e ardhmja e gjithë rajonit është ose e pakta duhet të jetë e gjitha drejt Bashkimit Europian.

Duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e ekonomisë, Bregu tha se “është fat i mirë që ka një iniciativë për një treg të përbashkët ekonomik rajonal. Në rast se ne nuk do t’i japim mundësi njerëzve që të komunikojnë me njëri tjetrin, të komunikojnë me tarifa të ulëta telefonike, që do të thotë që do të flasin më shumë, në rast se projektet do të jenë projekte të lokalizuara , me ndihmën dhe me projektet e BE-së mund të prekin vetëm një vend dhe jo të gjithë vendet e rajonit, do të thotë që ne nuk po punojmë për bashkëpunimin”, nënvizoi Bregu.

Bregu u shpreh se “ka një element që duhet theksuar dhe që mbase nuk është shumë i qartë për pjesën e vendeve anëtare. Unë dua ta përmend nisur edhe nga të gjitha zhvillimet dhe retorikat që bëhen prezente edhe shkak konfliktesh mes vendeve tona dhe marrëdhënieve bilaterale”.

“Ne e kemi te domosdoshme që të stabilizojmë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe për një arsye tjetër. Në strategjinë e zgjerimit të këtij viti për herë të parë propozohet një mekanizëm ku një vend i ri anëtar , pavarësisht se unë mendoj që Ballkani Perëndimor të ketë një rrugë dhe një datë anëtarësimi të përbashkët, sepse fati i lidhur ndërmjet vendeve tona ka krijuar një proces që për arsye të ndryshme njëri vend mund të vonojë ose përshpejtojë anëtarësimin e një vendi tjetër, por në rast të anëtarësimeve të reja tashmë ka një element besoj që duhet sjellë në vëmendje sa herë që ne mendojmë se me çështje bilaterale mund të vonojmë ose bllokojmë anëtarësimin e një vendi tjetër nga rajoni drejt BE-së”, theksoi Bregu.

Sipas saj, kjo gjë nuk do të lejohet më nëpërmjet mekanizmit të ri, të cilin në fakt edhe vendet anëtare të BE-së nuk e kanë pasur me njëri tjetrin në rastin e anëtarësimit të tyre që do të thotë; asnjë vend të mos jetë në gjendje të bllokojë për shkak të politikave, e përsëris apo çështjeve bilaterale progresin e një vendi tjetër drejt BE-së.

“Kjo do të krijojë një lloj sigurie dhe qartësie, është ndonjëherë ai kërcënimi pozitiv që i jep më shumë mundësi bashkëpunimit sesa e vë theksin tek vëllimi i atyre që duhet të mbeten peng i ngjarjeve që e kanë bërë nganjëherë këtë rajon jo vetëm të humbasë shansin historik të vendeve të tjera të Europës Lindore që iu bashkuan në ’90-ën BE-së për shkak të luftës të tregojë edhe shansin e dytë historik në një kohë kur BE në vetvete është në një konfuzion demokratik”, tha Bregu./k.s//j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.