Ankesa në portal, 900 studentë përfitojnë të drejtën e provimit të shtetit

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Rreth 900 studentët që kanë përfunduar studimet në fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit (2010-2018) tashmë ju jepet e drejta të aplikojnë për licencë mësuesi të edukimit fizik.

Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes të shtetasit Erion Codo, u arrit që të sigurohej zgjidhje për gjithë këtë kategori studentësh.

Codo kishte përfunduar studimet në programin e studimit Bachelor në “Fushat e veprimtarisë fizike, të shëndetit dhe të rekreacionit” dhe programin e studimit të ciklit të dytë Master Profesional në “Mësuesi në Edukimin Fizik e Shëndetësor në arsimin parauniversitar”, që ofrohet nga institucionet e arsimit të lartë.

Ai nuk lejohej nga Qendra e Shërbimeve Universitare për të kryer provimin e shtetit për Mësuesi, pasi Bachelor-i i tij nuk është në fushën e edukimit.

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë ngriti një grup pune në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve dhe me Qendrën e Shërbimeve Arsimore, dhe miratoi kërkesën për pranimin në provimin e shtetit të profesionit të rregulluar, Mësuesi, në profilin Edukim Fizik.

Kryeministri Edi Rama theksoi se “ky është një rast që tregon se si nga ankesa e një personi zgjidhet problemi, por edhe hapet rruga për të adresuar një problem që prek një grup njerëzish”.

“Është absolutisht e vërtetë dhe ia vlen të ritheksohet se platforma me raste konkrete është bërë sebep falë qytetarëve që e kanë marrë mundimin dhe kurajon për të sfiduar mosbesimin, edhe për ndryshime ligjore apo ndryshime të akteve nënligjore, por edhe për  akte të reja nënligjore”, tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.