Ankesa në platformë, zgjerohet rruga në hyrje të Pogradecit

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Rruga hyrëse në qytetin e Pogradecit u zgjerua si dhe u plotësua me sinjalistikën përkatëse me të gjithë elementët e sigurisë, pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes së banorëve të lagjes nr.4, në këtë qytet.

Rasti i parë i prezantuar në takimin e sotëm të bashkëqeverisjes, ishte rasti i shtetases Florika Topalli, e cila shkroi në emër të një komuniteti banorësh të përbërë nga 30 familje në qytetin e Pogradecit, banorë të lagjes nr 4, zona e Lumit të Terhanit, në hyrje të Pogradecit.

Ata iu drejtuan Platformës, pasi gjatë punimeve për shtrimin dhe asfaltimin e segmentit Tiranë –Pogradec, në rrugën lidhëse me lagjen e tyre ishte bërë një devijim, i cili ishte kthyer në burim aksidentesh.

Një ditë pas ardhjes së ankesës në platformë, ARRSH kreu inspektimin në terren së bashku me mbikëqyrësin e punimeve në objekt dhe organizuan një takim me banorët.

Pas verifikimit në terren u ra dakord për zgjerimin e rrugës hyrëse të kësaj lagjeje në gjerësinë 6 metër si dhe plotësimin e saj me sinjalistikën përkatëse me të gjithë elementët e sigurisë.

“Ajo që duhet theksuar vazhdimisht është se platforma ka një afat 10-ditor për adresimin e një problemi të parashtruar nga qytetarët dhe ata marrin përgjigje në rastin kur ankesa e tyre konsiderohet e drejtë”, tha Kryeministri Rama.

Pas marrjes së zgjidhjes nga ana e qytetarëve, Kryeministri theksoi se vazhdon hetimi administrativ për arsyet e vonesave. Ndërsa në rastin kur qytetarëve nuk i takon e drejta apo kur ankesa i adresohet qeverisë, por nuk është në kompetencat e pushtetit ekzekutiv, Rama tha se qytetarët marrin përgjigje në kohë.

Zvarritja pa fund e njerëzve, shtoi Kryeministri, “është një nga sëmundjet e mëdha që ne kemi trashëguar dhe të cilën platforma e lufton në mënyrë shumë efikase”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.