Thaçi: SHBA dhe BE përkrahin arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi

TIRANE, 2 tetor/ATSH/- Nga Gjeneva e Zvicrës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë, përmes dialogut në Bruksel.

Thaçi tha se është avantazh që të dyja palët janë në favor të arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe faktori ndërkombëtar, SHBA-ja dhe BE-ja, e përkrahin arritjen e marrëveshjes. “Nuk duhet të paragjykohet rezultati, por të gjithë duhet të jemi të bashkuar në përkrahje të procesit të dialogut Kosovë – Serbi”.

Sipas Thaçit stabiliteti politik prodhon edhe zhvillim ekonomik, prandaj ne po punojmë për arritjen e një marrëveshjeje ndërshtetërore që stabilizon tërë rajonin tonë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në “Dialogun Strategjik për Ballkanin Perëndimor takimi i liderëve”, të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës.

Pjesëmarrësit në këtë takim të mbyllur i përkrahën përpjekjet për të ndërtuar stabilitet politik në Ballkanin Perëndimor, si parakusht edhe për zhvillim, tërheqje të investimeve të huaja dhe rritje ekonomike. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.