SUEDI – Nobeli për Fizikën i jepet kërkimeve për teknologjinë lazer

97

STOKHOLM, 2 tetor /ATSH-AFP/ – Nobeli i Fizikës 2018 fitohet nga Arthur Ashkin (SHBA), Gerard Mourou (Francë) dhe Donna Strickland (Kanada), për kërkimet e tyre në teknologjinë lazer që ka mundësuar krijimin e pajisjeve që përdoren në industri dhe shëndetësi, njoftoi Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Donna Strickland është gruaja e parë që merr Çmimin Nobel të Fizikës që prej vitit 1963 dhe e treta që fiton këtë çmim që prej vitit 1901.

Ashkin, një qytetar amerikan, “mori çmimin për pincat optike dhe aplikimin e tyre në sistemet biologjike, që mundësojnë shqyrtimin dhe manipulimin e viruseve, baktereve dhe qelizave të tjera”.

Mourour, nga Franca dhe Strickland nga Kanadaja, morën bashkarisht këtë çmim “për metodat e tyre për të gjeneruar pulse optike ultra të shkurtër me intensitet të lartë”.

Ky zbulim i ka hapur rrugën pulsimeve lazer më të shkurtra dhe intensive të krijuara ndonjëherë nga njeriu.

Këtë vit, çmimet e krijuara nga industrialisti suedez Alfred Nobel, kanë secili vlerën e nëntë milionë kronave (një milion dollarë). /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.