KORE E VERIUT – Pheniani: Nuk do të shkëmbejmë armët bërthamore me një traktat paqeje

PHENIAN, 2 tetor /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut përjashtoi sot shkëmbimin e armëve të saj bërthamore kundër një deklarate formale të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës dhe vlerësoi se një traktat paqeje nuk mund të jetë një element tregtie, njoftoi KCNA-ja, agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut.

Për dekada, Pheniani i kërkoi SHBA-së që t’i japë fund luftës së Koresë (1950-1953) që përfundoi me një armistic por jo me një traktat paqeje.

Koreja e Veriut ka konsideruar gjithnjë se fundi i luftës do të kontribuonte në një rënie të qëndrueshme të tensioneve në gadishull.

Muajin e kaluar, gjatë një samitit në Phenian me presidentin koreanojugor Moon Jae In, lideri koreanoverior, Kim Jong Un përmendi mundësinë e mbylljes së kompleksit bërthamor të Jongbion, nëse Uashingtoni merrte masa përkatëse. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.