Eurobondi, Ahmetaj: Test i rëndësishëm për besimin e investitorëve

TIRANË, 2 tetor /ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, u shpreh se, dalja sot e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare ku synon të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet, është një test i rëndësishëm për rritjen e besimit të investitorëve në ekonominë shqiptare.

“E rëndësishme është te besimi që kam te e ardhmja e ekonomisë. Besoj se do t’ia dalim,” tha Ahmetaj.

“Është e rëndësishme të themi që kemi bërë një punë të gjatë me muaj. Sot është mundësia e një transaksioni të mundshëm nga Parisi. Ka një orë që është hapur tregu me orën e Londrës. Është një ditë e ngarkuar me ankth dhe emocion”, theksoi ministri Ahmetaj.

Pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, pritet sot finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, si dhe kredibilitetin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Shqipëria synon të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet. Ministria e Financave bën të ditur se ky afat maturimi do të ishte një arritje që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit.

Po kështu, sipas Ministrisë se Financave në diferencë nga viti 2015, Eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.