Nxitje investimeve braziliane në Shqipëri

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Rritja e investimeve braziliane në Shqipëri ishte në fokus të një bisede mes Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe ambasadorit të ri të Republikës Federative të Brazilit në Republikën e Shqipërisë, Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas.

Ruçi rikonfirmoi interesin dhe angazhimin e Shqipërisë për nxitjen e marrëdhënieve e të bashkëpunimit dypalësh me Brazilin. “Në Kuvendin e Shqipërisë është krijuar Grupi i Miqësisë me Brazilin, i cili mund dhe duhet të bëhet promotor i bashkëpunimit midis të dy vendeve”, – tha Ruçi.

Kuvendi, shtoi ai, do të kontribuojë për shtimin e  kontakteve të drejtpërdrejta dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, kulturor e shkencor midis të dy vendeve dhe rritjen e investimeve braziliane në Shqipëri, në fusha si bujqësia, turizmi, infrastruktura, energjia, etj.

“Marrëveshjet, bashkëpunimi dhe miqësia midis të dy vendeve, – nënvizoi Ruçi, – shkurtojnë distancën gjeografike midis vendeve tona”. Ai shprehu kënaqësinë për mbështetjen nga Brazili të kandidaturës së Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2022-2023.

Ambasadori Francisco Carlos Ramalho de Carvalho Chagas theksoi se bashkë me institucionet shqiptare do të eksplorojë fushat e mundshme të zgjerimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Brazilit, sidomos rritjen e investimeve braziliane në Shqipëri.

Ambasadori Chagas nënvizoi se Brazili vlerëson rolin e ndjeshëm konstruktiv të Shqipërisë në zhvillimet rajonale e më gjerë, në përballimin e sfidave të botës së sotme.

“Kam një arsye më shumë për të shërbyer në Shqipëri dhe nxitur bashkëpunimin Shqipëri-Brazil, nënvizoi Ambasadori Chagas. Bashkëshortja ime është arbëreshe dhe rrjedh nga familja e poetit të madh De Rada. Detyra në Shqipëri është ndër momentet më të gëzueshme të jetës sime dhe unë do t’i përkushtohem maksimalisht nxitjes dhe fuqizimit të marrëdhënieve e bashkëpunimit midis të dy vendeve”, – tha ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.