Monumentet e kulturës dhe trashëgimia, destinacionet e reja turistike

Monumentet e kulturës dhe trashëgimia, destinacionet e reja turistike

Këto monumente kulture po mirëmbahen dhe restaurohen duke u kthyer në vende të denja turistike si dhe në destinacione të reja për t'u eksploruar. Vendet e kultit, kalatë dhe muzetë janë kthyer në atraksione nga më të vizituarat për momentin pasi turistët e huaj dhe vendas po tërhiqen nga historia dhe misteri të cilat këto vende kanë dhe tregojnë shumë mbi rrënjët dhe identitetin tonë.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E hënë, 1 Tetor 2018

TIRANË,1 tetor /ATSH/ – Monumentet e kulturës si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore po marrin një vëmendje të veçantë nga specialistët dhe institucionet përkatëse.

Këto monumente kulture po mirëmbahen dhe restaurohen duke u kthyer në vende të denja turistike si dhe në destinacione të reja për t’u eksploruar. Vendet e kultit, kalatë dhe muzetë janë kthyer në atraksione nga më të vizituarat për momentin pasi turistët e huaj dhe vendas po tërhiqen nga historia dhe misteri të cilat këto vende kanë dhe tregojnë shumë mbi rrënjët dhe identitetin tonë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka shpalosur për publikun një mozaik plot ngjyra dhe vlerë për kantieret e kulturës vetëm për një javë të cilat vijnë për vizitorët në formë guide, e cila pret të eksplorohet.

Gjatë kësaj jave ka përfunduar restaurimi i Urës së Nivanit në Gjirokatër, grupi i vlerësimit nga UNESCO ka kryer takim në Tiranë dhe Pogradec, inpektim në Kishën e Shën Kollit Kurjan Roskovec. Këto përbëjnë një guidë në destinacionet e reja që duhet të vizitohen në “Rrugët e Besimit”.

Nuk kanë munguar përgjatë kësaj jave dhe aktivitetet e shumta në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, ku qendër e tyre ishte përcjellja e trashëgimisë kulturore nga kostumet deri tek kulinaria tek brezi i ri.

Një tjetër destinacion i shtuar në “Rrugët e besimit” është Kisha e Shën Maria e Ravanjës në Gjirokastër e cila është vizituar nga specialistët e mirëmbajtjes dhe restaurimeve. Një ndër ngjarjet më të rëndësishme të javës për trashëgiminë kulturore ishte përfundimi i restaurimeve në Pazarin e Gjirokastrës tashmë atraksion europian turistik dhe i rilindur.

Banesat ,kalatë mirëmbajtja dhe restaurimi i tyre është një tjetër punë e bërë me mjaft përgjegjësi dhe me përkushtim nga specialistët e DRKK-ve të çdo qyteti të cilët kujdesen për vlerat e tyre për tia trashëguar brezit të ri dhe për t’i treguar sa më qartë turistëve historinë dhe traditat tona.Në kuadër të këtyre punimeve mund të përmendim inspektime në Kishën Xhami në Kalanë e Shkodrës, inspektime në banesën e Sandi Qipros, Pogradec, inspektime në Kishën e Shën Mëhillit në Voskopojë dhe restaurim dhe mirëmbajtjen në banesën e ”Zylfi Meli” Berat.

Pra Shqipëria me anë të këtyre nismave është tashmë vendi i duhur për të vizituar bukuritë e saj natyrore, historike dhe bashkëjetesën në harmoninë e duhur midis besimeve fetare dhe ku vendet e kultit janë “shtëpitë mikpritëse” të çdokujt. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.