Kukës/ Ambasadorja Yu premton bursa studimi për në universitetet e Kinës

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu priti sot në një takim ambasadoren e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu. Mesazhet e bashkëpunimit dhe perspektiva për t’a bërë zonën e Kukësit një zonë të zhvilluar edhe përmes investitorëve kinezë ishin ndër temat që dominuan bisedimet gjatë këtij takimi. Ambasadorja Yu u shpreh se Kukësi ka potencial të madh zhvillimi në të gjitha fushat dhe se mundësitë për bashkëpunim janë reale, sidomos në fushën e mineraleve, në energjetikë, bimë mjekësore dhe turizëm. Gjithashtu, ambasadorja ofroi edhe bursa studimi për në universitetet kineze për vitin e ri akademik 2018-2019. Kryetari Shehu falenderoi ambasadoren Yu për vizitën dhe për optimizmin në lidhje me bashkëpunimet e mundshme në vazhdimësi duke siguruar se, bashkia Kukës është gjithmonë e hapur për bashkëpunime serioze dhe mirëpret çdo lloj investimi që është në dobi të qytetit dhe banorëve të Kukësit. Pas takimit ambasadorja Yu dhe kryetari Shehu, vizituan ekspozitën e punimeve artizanale të Kukësit, në të cilën diplomatja kineze u njoh nga afër me punën e artizaneve kuksiane dhe teknikat e përdorura ndër shekuj.

Gjatë vizitës në Kukës, ambasadorja Jiang Yu së bashku me kryetarin e bashkisë, Bashkim Shehu mbollën edhe “Pemën e miqësisë” si simbol i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve dhe shtrirjen e bashkëpunimit të Kinës me Kukësin. Pas mbjelljes së “Pemës së miqësisë”, diplomatja kineze së bashku me kryebashkiakun Shehu vizituan edhe fëmijët e Qendrës Sociale të Kukësit, për të cilët Ambasadorja Yu kishte përgatitur edhe disa dhurata simbolike./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.