Komisioni Sigurisë miraton projektligjin për “Kodin ajror”

TIRANË, 1 tetor/ ATSH/ – Komisioni për Sigurinë Kombëtare, nën drejtimin e kryetares së komisionit, Ermonela Felaj, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi miratoi datën 1 tetor 2018, nen për nen dhe në tërësi, projektligjin “Për Kodin Ajror në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligj ka për qëllim rregullimin ligjor të përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionit civil.

Qëllimi i veçantë i këtij ligji është rregullimi i veprimtarisë së avionëve civilë të regjistruar në Republikën e Shqipërisë; të avionëve për të cilët Republika e Shqipërisë merr përgjegjësi, sipas dispozitave të këtij Kodi, në përputhje me nenin 83 bis të Konventës së Çikagos; dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e operimit të lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë.

Për prezantimin në komision të projektligjit, të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga Autoriteti i Aviacionit Civil. Në përfundim të diskutimeve komisioni e miratoi, nen për nen dhe në tërësi projektligjin. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.