Felaj thirrje opozitës: Të marrë pjesë në nënkomisionin parlamentar për vetingun në Polici

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Nënkomisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për vetingun e Policisë zhvilloi mbledhjen e radhës, në lidhje me procesin e vlerësimit kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Të ftuar në mbledhje ishin zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse, Aida Shehi.

Kryetarja e nënkomisionit, Ermonela Felaj u bëri thirrje deputetëve të opozitës të jenë prezent në mbledhjet e nënkomisionit për vetingun e Policisë dhe sipas saj, opozita ende nuk ka depozituar emrat e anëtarëve të saj për këtë nënkomision.

Felaj tha se “duke u bazuar në nenin 5 të këtij ligji, organet e vlerësimit kalimtar janë: Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit, Komisioni Vendor i Vlerësimit. “Organet e Vlerësimit Kalimtar organizohen nga trupa e vlerësimit dhe çdo trupë vlerësimi përbëhet nga tre anëtarë, të cilët caktohet me short nga komisioni përkatës i vlerësimit. Bordi i Përzgjedhjes dhe Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, janë dy struktura që duhet të iniciojnë fazën e parë të vetingut në radhët e Policisë së Shtetit.”

Ndërsa zëvendësministri i Brendshëm Hodaj, tha se detyrimi i parë ka qenë dorëzimi i deklaratave individuale të 12 mijë punonjësve të Policisë së Shtetit, GR dhe SHÇB, me qëllim asistimin dhe mbarëvajtjen e këtij procesi dorëzimi.

Sipas Hodajt, “për të tre strukturat u asistua një skemë ndihme prej 98% e secilës nga strukturat që kanë qenë në rregull dhe janë konstatuar 2% dorëheqje”.

“Me krijimin e Bordit të Përzgjedhjes është komunikuar me ILDKP, për caktimin e 5 anëtarëve dhe 2 anëtarëve zëvendësues, me universitetet për 10 propozime, nga të cilat bordi përzgjedh 5 prej tyre dhe më pas bën shpalljen për 5 anëtarë të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit dhe anëtarë të sekretariatit teknik mbështetës. Procesi i përzgjedhjes ka përfunduar në datën 20 qershor, por ende nuk është marrë një vendim final”, – sqaroi zëvendësministri Hodaj.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse, Aida Shehi tha se Bordi  Përzgjedhjes përbëhet nga 5 anëtarë, përkatësisht: Aida Shehi, Ministria e Brendshme; Kryetar, Fatbardh Zenelaj, Avokati i Popullit; Anëtar Gjergji Semani, Shërbimi Informativ Shtetëror; Anëtar, Ardiana HALA, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi; Anëtar, Ardita Shehaj, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Gjithashtu, Shehi tha se komisioni vendosi të miratojë dhe një procedurë për marrjen në shqyrtim të kandidaturave, pasi një procedurë e tillë nuk ishte e parashikuar në ligj.

“Pas hartimit të një liste me kandidatët të cilët në vlerësimin paraprak plotësonin kriteret e përcaktuara në ligj, listë e cila dhe u publikua, bordi vijoi me shqyrtimin e dosjeve të aplikantëve. Në disa raste u kërkua informacion shtesë dhe dokumentacion plotësues, lidhur me eksperiencat e mëparshme për të shqyrtuar me saktësisht plotësimin ose jo të kritereve të përcaktuara ligjore”, – përfundoi Shehi. /o.l//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.