BSH: 6 muajt e parë të vitit, zgjerohet aktiviteti ekonomik botëror

147
TIRANË, 1 tetor /ATSH/- Gjatë periudhës së parë të këtij viti, aktiviteti ekonomik botëror ka vijuar të zgjerohet, i mbështetur nga kushtet përgjithësisht të favorshme të financimit, vijimi i politikave akomoduese në disa prej vendeve të zhvilluara dhe rritja e
stimujve fiskalë në SHBA.
Banka e Shqipërisë publikoi Raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë 2018, ku ndër të tjera evidenton se, kushtet në tregjet financiare globale kanë mbetur
përgjithësisht të favorshme, pavarësisht sinjaleve për shtrëngim të mëtejshëm të politikës monetare nga bankat qendrore të ekonomive më të mëdha.
Presionet inflacioniste në nivel global kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme, por kanë shfaqur herë pas here pritje rritëse, ndikuar nga rikuperimi i çmimeve të naftës.
“Të dhënat më të fundit tregojnë për ngadalësim të ritmit të rritjes dhe thellim të diferencave në ecurinë ekonomike mes rajoneve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, duke reflektuar ndikimin e kombinuar të rritjes së çmimeve të naftës, të rritjes së normave të interesit në SHBA, të pasigurisë për ecurinë e tregtisë botërore për shkak të rritjes së rasteve të zbatimit të tarifave tregtare, dhe vijimit të tensioneve gjeopolitike në rajone të
caktuara”, citon raporti i BSH-së. e.xh/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.