4 muaj për një vërtetim, e merr për 4 ditë pas ankesës në “shqiperiaqeduam.al”

TIRANË,29 shtator /ATSH A.ALLA/ – Pas ankesës në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, një çift nga Pogradeci arriti të merrte brenda 4 ditësh vërtetimin për njohjen e vjetërsisë së punës  për të cilën kishin 4 muaj që kishte aplikuar.

Ky ishte rasti i radhës i prezantuar sot në Korçë, mbi suksesin e platformës së bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Konkretisht, Lefteri Prifti nga Pogradeci, kishte 4 muaj që kërkonte të merrte vërtetimin e vjetërsisë së punës e mori atë për 4 ditë, pas ankesës në platformë.

”Meqënëse erdhi mosha e pleqërisë unë doja të mblidhja vitet e punës dhe pas aplikimit tim për vitet e punës mu vonua përgjigjia. Në këtë moment iu drejtova platformës dhe për 3 -4 ditë platforma më zgjidhi problemin.Ju falenderoj të gjithëve dhe ju ftoj të aplikoni në këtë platformë dhe të fitoni”.

Kryeministri Edi Rama u shpreh për rastin në fjalë se, ”4 muaj dy pensionist prisnin një vërtetim për vjetërsinë e punës për caktimin e pensionit dhe në këto 4 muaj nuk e merrnin do këtë vërtetim. Ata e morën për gjashtë ditë dokumentin sepse në vend që të vazhdonin të prisnin ose të kërkoni rrugë të tjera iu drejtuan platformës”.

“Platforma është rruga që ju çon tek miku më i madh.Miku më i madh sot që mund të fusësh për zgjidhjen e problemeve në zyrat e shtetit është ministri përkatës përmes platformës pa qenë nevoja t’i gjesh mik mikut, as të shkosh ta takosh vet mikun thjesht futu në platformë dërgo ankesën dhe të vjen miku vet, e merr përsipër punën tënde të zgjidh problemin dhe ti si qytetarë merr zgjidhje”, tha kryeministri Edi Rama.

”Për ata që nuk kanë besim ta provojnë se nuk humbasin asgjë dhe ata që ankohen se na kërkojnë ryshfete, mos të ankohen pse ju kërkojnë ryshfet qoftë në hipotekë, tek ALUIZNI, qoftë në spital por në tre minuta të ngrenë në këmbë ministrin përkatës. Nëse ka një kërkesë ryshfeti për arsye shëndetësore platforma reagon në kohë reale dhe ministria e shëndetësisë reagon në kohë reale”, vijoj Rama.

Në fund kryeministri Edi Rama tha se,”natyrisht ne e dimë punën e ryshfetit por nuk e zgjidhim dot pa bashkëpunimin me ata të cilëve u kërkohet ryshfet dhe ata që u kërkohet ryshfet në vend që ta paguajnë atë dhe pastaj të kenë pa kënaqësi e kanë shumë të thjesht të kërkojnë ndihmë”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.