Turizmi rural, potencial i jashtëzakonshëm ekonomik

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm por edhe një ekonomi për t’u zbuluar e gjitha për zhvillimin e turizmit rural.

Nga Pusteci ku u zhvillua aktiviteti në kuadër të programit “100 fshatrat”, Kryeministri Edi Rama u ndal te tendencat që dëshmojnë shenjat e zhvillimit të turizmit gjatë viteve të fundit në vendin tonë.

“Ne jemi mësuar të mendojmë detin kur flasim për turizëm, por ajo që shihet brenda rritjes së përgjithshme të numrit të turistëve si rezultat i ndryshimit të imazhit të Shqipërisë dhe pranisë së saj aty ku promovohet turizmi në botë, është se ka një masë të konsiderueshme turistësh që vijnë për malin dhe disa aspekte të turizmit të aventurës. Këtu veçohen kanionet, rrugët malore, zogjtë e të tjera aspekte më specifike brenda një ombrelle turistike larg detit”, tha Rama.

Duke u ndalur te nevoja për zhvillimin e turizmit rural, Kryeministri Rama tha se turizmi është eksport, ndaj banorët e zonave rurale duket ta kuptojnë këtë.

“Nëse për të dalë në treg me prodhime bujqësore dikush këtu e ka të pamundur ta imagjinoj, sepse vetëm rruga e nafta kushton, atëherë e kundërta duhet të nxisë secilin për të vepruar për tërheqjen e vizitorëve”, shtoi Rama.

Në përfundim, Kryeministri Rama shprehu bindjen se Pusteci në pak vite do të transformohet në shumë aspekte dhe do të ketë një ekonomi me shumë më tepër perspektivë sesa sot./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.