Rritja e punësimit, Shqipëria kryeson në rajon

158

TIRANË, 28 shtator /ATSH-Maela Marini/ Statistikat ndërkombëtare tregojnë se në Shqipëri punësimi është rritur në një trend më të lartin në gjithë rajonin.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se këtë e dëshmojnë jo vetëm statistikat e institucioneve shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare.

“Ne po e rrisim punësimin dhe ky është fakt, por nuk po rriten aq sa ne do të donim rrogat e ulëta. Kjo sepse rritja ekonomike, e cila sot është në përmirësim mbi 4%, nga pak % mbi 0% në 2013, reflektohet më ngadalë mbi rrogat në sektorin privat, por gjithsesi reflektohet”, – tha Rama.

Ai theksoi se janë 20 763 njerëz të futur në punë nga janari në gusht 2018, vetëm nga Zyrat e Punës.

“Rrogat e ulëta në sektorin privat i kanë edhe vende të tjera në rajon si Serbia, Maqedonia etj. Ne e dimë se në Gjermani e vendet e BE-së, rrogat e ulëta janë shumë më të larta se te ne, por ne nuk jemi Gjermania, Franca apo Anglia”, – tha Rama, duke theksuar se, – “duhet të kujtojmë nga kemi ardhur dhe t’i afrohemi standardeve hap pas hapi”.

“Ne jemi mësuar të quajmë punë, vetëm punën në shtet dhe ‘skllavëri’ punën private. Është e vërtetë që ka ende probleme për punën private, por ne kemi nxjerrë nga puna e zezë dhe kemi detyruar kompanitë të sigurojnë dhjetëra-mijëra njerëz. Por ndërkohë ka kompani që kanë paga edhe 400, 500 dhe 800 mijë lekë dhe nuk gjejnë punonjës”, – tha Rama.

Në kuadër të reformave sociale të ndërmarra, ai theksoi po ashtu se edhe pse ndihma ekonomike është ende e ulët, duhet të kujtojmë se “ndihma ekonomike është 3-fishi i asaj që ka qenë para 4 vitesh”. “Nga 10-35 mijë lekë të vjetra sot është 45-80 mijë lekë”, – tha Rama. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.