Rama: Nxitje banorëve për përfshirjen në programin “100 fshatrat”

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ Nga Pusteci ku u prezantuan projektet e para zhvillimore në kuadër të programit “100 fshatrat”, Kryeministri Edi Rama nënvizoi rëndësinë e nxitjes së njerëzve për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekje.

“Aspekti më vendimtar i programit ka të bëjë me nxitjen e njerëzve që jetojnë në këto fshatra dhe kalojnë të gjithë eksperiencën e tyre jetësore në këto zona, për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekje. Ne krijuam këtë mundësi dhe hapësirë, por ende këtu në Pustec ato hapësira të konceptuara për të qenë njësi tregtare dhe turistike nuk janë jetësuar”, – tha Rama.

Në këtë drejtim, Kryeministri u shpreh se nevojitet një ndërveprim mes pushtetit vendor dhe komunitetit, bashkë me mbështetjen e qeverisë qendrore, përmes programit “100 fshatrat”.

Vetëm në këtë kodër, vijoi Rama, ka disa godina 2 apo 3-katëshe, që nëse do të ishin në një vend me turizëm të zhvilluar në Zvicër apo Greqi, do të krijonin para në 365 ditët e vitit, duke mikëpritur vizitorë.

“Natyrisht, për ta transformuar atë godinën 2 apo 3-katëshe në një hotel kërkohet një punë e përbashkët, pasi me siguri ata që e zotërojnë apo banojnë aty nuk i kanë mundësitë financiare për ta bërë, – tha Kryeministri, duke shtuar se, – këtu lind nevoja për të krijuar urën e bashkëpunimit mes gjithë aktorëve për informimin e banorëve”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.