Lufta ndaj drogës, Guardia di Finanza: Rezultatet e 2018 entuziaste

TIRANË, 28 shtator/ATSH- A. Fortuzi/- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti Komandantin e Përgjithshëm të Guardia di Finanza-s, Gjeneral Giorgio Toschi me të cilin bisedoi rreth bashkëpunimit në luftën kundër kultivimit të narkotikëve, trafikimit dhe rritjes së sigurisë në të dy anët e kufirit.

Ministri Xhafaj falënderoi për asistencën në monitorimin nga ajri të sipërfaqeve të mundshme të mbjella me kanabis. Ai nënvizoi se kjo ndihmë mishërohet në dy fusha, kontrollin e kufirit detar dhe monitorimin ajror në kuadër të programit të Ministrisë së Brendshme Italiane e asistuar edhe nga projekti i BE, SANCAS.

Xhafaj theksoi më tej se për Qeverinë shqiptare lufta ndaj kultivimit mbetet një prioritet i qartë politik dhe kombëtar. Ai e ilustroi këtë me masat e marra për të çrrënjosur përfundimisht nga territori shqiptar fenomenin e mbjelljes së bimëve narkotike, i shoqëruar me rezultate solide për të dytin vit radhazi.

Kreu i GdF, Giorgio Toschi vlerësoi bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit dhe nënvizoi angazhimin e Qeverisë italiane për të konsoliduar arritjet e derisotme. Ai falënderoi partnerët shqiptarë, duke veçuar bashkëpunimin në luftën kundër krimit në përgjithësi dhe kultivimit të kanabisit në veçanti.

Toschi u shpreh më tej se ishte absolutisht i kënaqur për punën e përbashkët dhe për rezultatet e arritura.

Ai tha se rezultatet e vitit 2018 janë tejet entuziaste, sidomos duke pasur parasysh se këtë vit është shtuar numri i orëve të fluturimit, mbulohet një pjesë më e madhe e territorit dhe është rritur gjithashtu hapësira kohore gjatë së cilës është kryer monitorimi ajror.

Komandanti i GdF nënvizoi se gjatë këtij viti, në territorin shqiptar janë mbjellë një numër edhe më i vogël bimësh kanabisi se në vitin 2017, që ishte viti më i suksesshëm në luftën kundër kanabisit.

Ai konfirmoi zhvendosjen e tentativave për trafikim, në shtetet fqinje të Shqipërisë dhe shprehu interesin e GdF që, në të ardhmen, të shtrijë monitorimin ajror edhe drejt këtyre vendeve.

Pas takimit në Ministrinë e Brendshme, delegacioni i lartë i GdF u prit në një takim nga zv.drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, në të cilin u diskutuan çështje konkrete të bashkëpunimit dypalësh. Pas disa javësh do të raportohen të dhënat përfundimtare të misionit të GdF për monitorimin nga ajri të territorit shqiptar. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.