Kosovë, shërbim 24 orë për kujdesin ndaj zemrës në QKUK

PRISHTINË, 28 shtator /ATSH/ – Në QKUK janë stentuar një mijë pacientë brenda këtij viti.

Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili tha se familjet të cilat kanë shpenzuar jashtë institucioneve publike, tani trajtohen pa pritje dhe pa pagesë në QKUK.

“I lumtur dhe krenar që reformat tona në Shëndetësi po japin rezultate. 74-vjeçarja nga Podujeva, Dinora Syla, u bë pacientja e njëmijtë, e cila përfiton nga shërbimi 24-orësh kujdesin e zemrës dhe stentimin në QKUK. Para se të kthehet në familjen e saj, pas një ndërhyrjeje të suksseshme, ajo ishte mirënjohëse ndaj infermiereve dhe mjekëve për shërbimin e mirë ndaj saj. Mbi 5 milionë euro kursime të xhepit të qytetarëve këtë vit vetëm nga stentimet. Familje të shumta që kanë shpenzuar kursimet familjare jashtë institucioneve publike, sot trajtohen pa pasur nevojë të presin dhe pa pagesë në QKUK. Me përkrahjen e duhur, mjekët tanë mund të bëjnë mrekulli në vendin tonë, e përkrahja nuk do t’u mungojë”, shkruan Ismaili.

Kujtojmë se së fundi është lansuar shërbimi 24 orësh për kujdesin ndaj zemrës dhe stentimin në QKUK. /KosovaPress//e.malaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.