Investimet në Korçë, Bashkia: PD ka kundërshtuar projektet strategjike

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ “Korça është kthyer në qytetin më të vizituar në Shqipëri në çdo stinë, falë investimeve në infrastrukturë”, deklaroi sot Bashkia e Korçës, duke akuzuar degën e Partisë Demokratike në qytetin juglindor se vazhdimisht ka kundërshtuar projektet strategjike për zhvillimin e qytetit.

Përmes një deklarate për shtyp, Bashkia e Korçës reagoi ndaj deklaratave të degës së Partisë Demokratike në Korçë, duke renditur disa nga investimet më të rëndësishme që kanë ndryshuar pamjet e qytetit.

Ajo kujton se ishte pikërisht PD në Korçë që kundërshtoi rikonstruksionin e Pazarit të Vjetër, Zonës Këmbësore, Sheshit para teatrit, parkut “Rinia”, rrugës “Gjon Buzuku” apo shkuljen e pemëve dhe prishjen e bordurave të trotuarëve.

“Ju kundërshtoni, baltosni, bllokoni e prishni, me pretendimin se mbroni banorët dhe interesat e tyre. Por jo! Ju jeni kundër sepse nuk shihni dot atë që sheh çdo banor i Korçës. Projekti i Bashkisë së Re do të jetë modeli unik në Shqipëri për ofrimin e shërbimeve transparente dhe cilësore ndaj qytetarëve. Do të jetë modeli ku një institucion publik dëshmon sesi punohet më pranë qytetarëve dhe për ta”, vijon deklarata e Bashkisë.

Korça është kthyer në një destinacion turistik, ku vetëm turistët që vijnë brenda një viti shkojnë në 59000, ose miliona lekë të ardhura për ekonominë e qytetit.

Bashkia kujton se është punuar për të rritur numrin e bizneseve që operojnë në Korçë, duke forcuar kështu ekonominë lokale. “Kemi investuar për të rinjtë, me kënde sportive në shumë shkolla dhe lagje. Së fundmi edhe me një investim për krijimin e Zonës së Re Sportive, e cila ofron një hapësirë për të shpenzuar kohë cilësore për të rinjtë”, shprehet Bashkia.

Po ashtu, sipas Bashkisë, “është investuar për fëmijët, me kënde lojrash në çdo hapësirë”. “Së fundmi, ndërtuam Kompleksin Shumëfunksional për fëmijët, në mënyrë që ata të rriten me frymë dhe standarde europiane”.

Këtë vit, 74 familje do të strehohen në dy pallatet e ndërtuara nga Bashkia e Korçës dhe Enti Kombëtar i Banesave dhe gati 100 familje kanë përfituar Bonusin e Strehimit nga Bashkia Korçë.

“Kemi gjallëruar jetën social-kulturore dhe artistike të qytetit, duke organizuar dhjetëra aktivitete sociale dhe kulturore.Ne besojmë se ka ende shumë punë për të bërë, por duke ecur në rrugën e zhvillimit përmes punës dhe jo atë të bllokimit dhe përbaltjes me fjalë, siç bën PD”, përfundon deklarata e Bashkisë Korçë. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.