FOTO/ Shkodra, mikpritëse e bandave frymore nga Shqipëria, Mali i zi dhe Kosova

TIRANË,28 shtator /ATSH/ – Shkodra ka mirëpritur edicionin e parë të takimit ndërkombëtar të orkestrave frymore nga Shqipëria, Mali i zi dhe Kosova.

Në një koncert unik, 7 bandat frymore: ajo e Shkodrës, e Tivarit në Mal të Zi, “Afërdita” e Elbasanit, “Prend Jakova” në Shkodër, orkestra e qytetit të Durrësit, si dhe e Beratit dhuruan për publikun tinguj mallëngjyes.

Instrumentistë nga katër anët e botës u mblodhën në teatrin “Migjeni” të qytetin të Shkodrës, duke krijuar një atmosferë festive si asnjëherë më parë.

Risia e këtij eventi ishte vlerësimi i të gjitha bandave me nga një diplomë të emrave më të mëdhenj që kontribuan, organizuan, dhe improvizuan këto banda.

Bandat frymore interpretuan me mjaft mjeshtëri notat muzikore të kolosëve të emrave të njohur të muzikës klasike botërore. Gjithashtu u interpretuan disa kënge të vjetra shkodrane, të përshtatura për formacione bandash muzikore.

Çdo performancë u prit ngrohtë nga spektatorët, ku nuk munguan duartrokitjet e tyre në shenjë vlerësimi.

Ky koncert u përshëndet nga kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Ndërkohë pas performancës së trupës së tij, dirigjenti i mirënjohur i bandës së qytetit të Shkodrës, Kujtim Alija shprehu emocionet e kësaj nate.

Në këtë event nuk munguan dhe dhënia e disa certifikatave mirënjohjeje për disa nga dirigjentët dhe instrumentistët më të mirë.

Parada artistike e orkestrave frymore vijoi gjatë gjithe pasdites në rrugët e qytetit duke krijuar një atmosferë të veçantë për të gjithë qytetarët e Shkodrës./a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.