Elbasan, homazhe në nder të ish-deputetit socialist, Durim Hushi

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Në Elbasan u zhvilluan sot homazhe në nderim të ish-deputetit socialist, Duri Hushi, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, në moshën 65-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla si dhe deputetë të grupit parlamentar socialist u shprehën sot ngushëllimet familjes Hushi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit, Durim Hushi.

“Sot na iku një elbasanlli shumë i mirë, intelektual i shquar dhe sigurisht edhe një përfaqësues i Partisë Socialiste në 2 mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Ngushëllime familjes, i paharruar qoftë kujtimi i tij!” – tha Balla, për mediat pas zhvillimit të homazheve.

Hushi ka qenë deputet i Partisë Socialiste, i zgjedhur në qarkun e Elbasanit dhe Prefekt i Elbasanit.

Në vitin 1992, ai ka qenë kandidat i PS-së për kryetar bashkie në Elbasan. Në maj 1996, ka qenë kandidat i PS-së për deputet.

Gjatë viteve 1997-2001, ka shërbyer si Prefekt i Qarkut të Elbasanit, ndërsa nga viti 2001 deri në 2005 si deputet i Elbasanit. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.