“E gjithë vëmendja te ju”, spostim i fokusit të politikës tek njerëzit

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/687869468256886/

TIRANË, 28 shtator/ATSH-Maela Marini/ “‘E gjithë vëmendja për ju’ nuk është thjesht një slogan, por është një përpjekje për të spostuar fokusin e politikës sonë të përditshme plotësisht tek njerëzit dhe shumë më pak tek kundërshtarët.”

Kështu deklaroi sot në mbrëmje, Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të organizuar në Korçë, në kuadër të fushatës së anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste dhe llogaridhënies së drejtuesve vendorë.

“Ne sapo kemi nisur një fushatë brenda PS-së për të hapur edhe një herë dyert e partisë dhe për të ftuar të tjerë të bëhen pjesë e jona. Njëkohësisht kemi nisur një fushatë llogaridhënie të drejtuesve vendorë si një fazë komunikimi intensiv me të gjitha komunitetet, për t’u dëgjuar dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme së shpejti”, – tha Rama.

Duke folur për aktivitetin “E gjithë vëmendja për ju”, që do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit, Rama tha se ky nuk është thjesht një motiv apo slogan.

“Kjo është një përpjekje për të spostuar fokusin e politikës sonë të përditshme plotësisht tek njerëzit dhe shumë më pak tek kundërshtarët dhe debatet që shpeshherë na rrëmbejnë në çështje dhe tema që janë faktikisht e njëjta gjë dhe që janë shumë larg atyre që njerëzit duan”, – tha Rama.

“E gjithë vëmendja për njerëzit”, sipas Kryeministrit do të thotë të jemi të fokusuar plotësisht tek ekonomia, punësimi, shëndetësia, arsimi.

“Të gjitha këto, që jo vetëm janë dhe kanë qenë gjithmonë pjesë e punës sonë jashtë ekraneve, por kthehen në qendrën e komunikimit dhe debatit. Në politikë kemi nga mëngjesi në darkë akuza, kundërakuza, shpifje, përgënjeshtrime, reagime dhe në fund fare e gjitha kjo krijon një ndjenjë negative për politikën”, – tha Kryeministri.

Kjo situatë, sipas tij, krijon një pështirosje për atë që është një nga aktivitetet më fisnike të njeriut, politikën.

“Politika nuk ka lindur për të bërë keq, apo çoroditur dhe çmendur dynjanë, edhe pse mund t’i bëjë këto. Politika ka lindur për të bërë mirë dhe që të krijojë mundësinë që të mblidhemi së bashku dhe të bëjmë të mundur së bashku gjëra që vetëm s’i bëjmë dot. Përmes politikës njerëzit kanë bërë mrekullira. SHBA, BE apo edhe Shqipëria e pavarur e demokratike nuk do të ekzistonin pa politikën”, – tha Rama.

Ashtu sikurse, shtoi ai, nuk do të ekzistonte as Shqipëria diktatoriale, gjë që fakton se si politika mund të bëjë shumë keq, edhe pse është një forcë që ka lindur për të bërë mirë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.