Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për Informim, apel për mirëqeverisje

85

TIRANË,28 shtator /ATSH- I. Vata/ – “E drejta e informimit garanton transparencën dhe mirëqeverisjen”, – shprehet Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale më 28 Shtator – Ditën Ndërkombëtare e të Drejtës për Informim.

“Kjo ditë përkon edhe me 3-vjetorin e miratimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shton se zbatimi i tij është sfidë për të gjitha Autoritetet Publike për të kultivuar kulturën e transparencës ndaj publikut. Autoritete homologe dhe organizata jo fitimprurëse e kremtojnë atë duke organizuar aktivitete dhe nisma që promovojnë këtë të drejtë, si dhe nxisin përmirësimin e kuadrit rregullator për zbatimin e saj.

Me këtë rast, Zyra e Komisionerit ka krijuar një poster ndërgjegjësues, i cili simbolizon lulen e mirëqeverisjes. Posteri vendoset sot në faqet zyrtare të internetit dhe rrjeteve sociale të Autoriteteve Publike për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me ushtrimin e të drejtës së tyre për informim.

Që nga miratimi i ligjit në shtator të vitit 2014, qytetarët shqiptarë kanë paraqitur pranë Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale 1407 ankesa, ku vetëm në 9-mujorin e fundit janë trajtuar 423 ankesa, të cilat në 90% të rasteve janë zgjidhur në favor të qytetarëve shqiptarë.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shton se “Ligji për të drejtën e informimit ju jep të drejtën të merrni informacion pranë çdo autoriteti publik. E drejta e informimit garanton transparencë dhe mirëqeverisje”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.