Bonusi i bebeve, do jepet brenda vitit të parë të jetës

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2134325309924557/?t=2

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një intervistë për ERTV foli mbi rritjen me 8, 16 dhe 24-fish të Çekut të Bebes, politikës së re sociale.

Ajo gjatë fjalës së saj bëri të ditur se bonusi i bebeve do të  jepet që në vitin e parë të jetës, ndërsa po vlerësohet aplikimi i një mekanizmi pa burokraci.

“Bonusi i bebeve do të jepet që në vitin e parë të jetës dhe ne po vlerësojmë që të jetë sa më shumë i digjitalizuar. E dimë që kam pasur probleme më parë në lidhje me bonusin që jepnin bashkitë për shkak të burokracive ndërsa tani jemi duke vlerësuar një mekanizëm të mirëfilltë pa burokraci”, – tha Manastirliu.

Më tej, Manastirliu, vuri në dukje se politika e re sociale është pro lindshmërisë, ndërsa kjo e fundit do të ketë efekt edhe në të ardhmen.

“Është një politikë sociale dhe pro lindshmërisë. Ne duam që në vitin e parë të jetës çdo fëmijë të jetojë më mirë. Politika e re do të ndikojë edhe në lindshmëri dhe do të ketë efekt afatmesëm dhe afatgjatë. Ne sot mbështesim direkt ato familje që kanë më shumë nevojë dhe kjo politikë do të ndikojë direkt tek ato familje që janë në vështirësi ekonomike”, -sqaroi ministrja. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.