Alpinistja shqiptare ngjit majën e Himalajeve

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ – Uta Ibrahimi është alpinistja e parë shqiptare që po ngjitet në majat më të larta të botës.

Ne fillim ngjiti malin më të lartë në botë, majën e Everestit, më pas dy majat e tjera Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta).

Ndërsa në 26 shtator, ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu (maja e 6-ta më e lartë në botë) 8,201 metra lartësi në Tibet në Kinë. Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, duke shënuar një rekord të ri.

Sapo mbërriti në maje të “Cho Oyu” Uta tha se kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjitha deri më tani. “Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vetë dhe të gjitha paisjet personale i kam mbajtur vetë, deri në ditën e majës kur ju bashkova ekipeve të tjera. Këtu kam pasur pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë”, tha ajo.

Uta kishte planifikuar që të ngjitej pa sasi shtesë të oksigjenit, por në lartesinë 7,800 metra, kanë filluar t’i ngrijnë gishtat e dorës, ngjarje që e shtyu të përdorë oksigjen të paktën deri në lindjen e diellit.

Uta ibrahimi theksoi se “këto ngjitje të harxhon shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i madh për të arritur drejt majës. Motivi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvis flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” u shpreh Uta, e emocionuar.

Uta Ibrahimi tani gjendet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbresë në Kathmandu, Nepal. Pastaj më 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, majë mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 nga 14 majat më të larta në botë, që njihen si majat 8,000 (sepse të gjitha janë mbi 8,000 m lartësi).

Ngjitjet e Utës jane përkrahur nga, Qeveria e Kosovës, e në veçanti nga zv.Kryeministri Enver Hoxhaj, Federata Bjeshkatare e Kosovës, Shba Pashtriku, Shba Dajti, Turkish Airlines, Familja Begeja, Birra Puka, UN Kosovo, UN Woman, UNICEF, UNFPA Kosovo.

Ekspedita “14 majat e Himalajeve” e ndërmarrë nga Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majat më të larta në botë, që gjenden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrin këtë. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.