300 qendra shëndetësore do të ndërtohen në 3 vite

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ – “Sot ne po rindërtojmë në Shqipëri 80 qendra shëndetësore. Në tre vjet do të ndërtojmë 300 qendra shëndetësore të standardeve që meritojnë njerëzit kur shkojnë të marrin shërbimin e parë”, – theksoi sot nga Korça Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste, Rama tha se “a janë gjithçka këto? Jo, nuk janë gjithçka. As 32 autoambulanca të reja më shumë nuk janë gjithçka. Qoftë shërbimi parësor dhe ai i urgjencës do të jenë shumë herë më të mira se ç’janë sot, ndërkohë që sot është shumë herë më i mirë se ishte dje”.

“Nuk diskutohet që spitalet kanë shumë probleme akoma. Sot spitali i Korçës është më i mirë se dje, QSUT sot është më mirë se dje. Në spitalet tona nuk shkon me batanije me vete, nuk të del doktori tek dera dhe të thotë ‘nuk kam aspirinë’. Ka probleme me ilaçet për arsye të ndryshme? Po, ka, por nuk është kjo e përgjithshmja”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ndërkohë kur ne kemi ardhur në qeveri ishin të mbushura ekranet me turma që ulërinin tek kangjellat e spitaleve me receta në duar se në spitale nuk kishte më ilaçe. Por përse nuk kishte? Se shteti i kishte 42 milionë lekë borxhe kompanive që sillnin ilaçet”. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.