Veliaj: Luli dhe Jorida e sabotuan për zyra shkollën e fëmijëve të Njësisë 8

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ – Edhe sot, këshilltarët e opozitës e braktisën mbledhjen e këshillit bashkiak ku pritej të miratoheshin disa projektvendime të rëndësishme për qytetarët e Tiranës. Mes tyre ishte edhe vendimi që rihap një shkollë në Njësinë 8, të cilës administrata e kaluar e bashkisë së Tiranës, i kishte ndryshuar destinacionin, duke e kthyer në zyra për ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh i zhgënjyer që këshilltarët e opozitës e braktisën mbledhjen, pikërisht duke mos votuar as për kthimin e kësaj shkollë për fëmijët e Njësisë 8.

“Njësia 8 i ka dhënë mandatin e kaluar edhe për kryetar, edhe për nënkryetar të Bashkisë, Lulit dhe Joridës. Por, prona te Medreseja, ku sot ka zyrat UKT-ja, në fakt në versionin e vet origjinal ka qenë shkollë. Saliu, ngaqë i falimentoi të gjitha kompanitë, filloi t’i degdiste nëpër bashki dhe Bashkia i çoi zyrat e UKT-së në një shkollë, te Medreseja për njësinë 8. Ne sot duam të marrim vendimin për ta çuar UKT-në te inkubatori i biznesit dhe të lirojmë një shkollë për Njësinë 8. Kush është oligark, kalamajtë e Njësisë 8? Si do shkojë Luli dhe Jorida te Njësia 8 e t’u thonë banorëve: Mirë, kur ishim kryetar dhe nënkryetar të bashkisë s’bëmë asnjë punë, por tani s’duam ta votojmë këtë vendim, që t’u kthejmë shkollën fëmijëve tuaj? Unë ju garantoj për një gjë: Në qershor, jo vetëm do fitojmë bindshëm bashkinë, por do kemi shumicë absolute për të vendosur për qytetin e Tiranës, sepse njerëzit i panë kush janë këta”, – tha Veliaj.

Teksa shprehu bindjen për një fitore absolute në Tiranë qershorin e ardhshëm, Veliaj nënvizoi se Basha dhe Tabaku u mohuan për shumë vite fëmijëve të Njësisë 8 që të studionin në një shkollë ku bëhet mësim me një turn. “Si do kenë fytyrë te shtëpia e tyre dhe e prindërve të tyre, si Luli, si Jorida, të kthehen te Njësia 8 dhe të thonë: Ikëm, e bojkotuam vendimin që e çliron godinën, u mohuam kalamajve të Njësisë 8 shkollën me një turn. Si do kenë fytyrë, do shkojnë nesër të kërkojnë votat?” – deklaroi Veliaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.