Kryemadhi: Xhisela Maloku të merret në mbrojtje

134

TIRANË,27 shtator /ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar për denoncimin e bërë nga nënkomisari i Policisë, Emiljano Nuhu.

Sipas Kryemadhit, rasti i Xhisela Malokut jo vetëm shqetëson, por tmerron familjet e shqiptarëve, por sidomos tmerron gratë dhe vajzat shqiptare.

”Është vërtet e tmerrshme edhe mënyra se si edhe sot e kësaj dite vazhdojnë institucionet e shtetit shqiptar për të fshehur krimin, dhunën dhe përdhunimin e një vajze të re. Është e tmerrshme se si vazhdojnë akoma institucionet e shtetit shqiptar për të terrorizuar, për të kërcënuar dhe për ta ridhunuar viktimën e ngjarjeve të mëparshme”, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve të Policisë së Shtetit që të marrin në mbrojtje me institucionet ndërkombëtare, Xhisela Malokun.

I bëj thirrje Prokurorisë dhe të gjithë atyre segmenteve të Policisë së Shtetit, të cilat ndihen të pakapura dhe të painkriminuara jo vetëm në çështjen në fjalë, por në të gjithë situatën që është përfshirë sot Policia e Shtetit dhe situata e rendit në Shqipëri, që të marrin në mbrojtje me institucionet ndërkombëtare Xhisela Malokun, sepse vetëm në këtë mënyrë kjo çështje do të zbardhet përfundimisht. Tre herë ka denoncuar Xhisela Maloku në institucionet e policisë dhe tre herë ka tërhequr denoncimin e saj si rezultat i dhunës, i presionit dhe i pambrojtjes së saj nga institucionet e shtetit shqiptar. Tre herë ka denoncuar Xhisela Maloku, tre herë ajo është tërhequr e frikësuar dhe e dhunuar”, përfundoi Kryemadhi. /m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.