INSTAT: Rritet volumi i mallrave të përpunuara në porte

TIRANË, 27 shtator /ATSH/- Volumi i mallrave të përpunuara në portet e vendit po shënon rritje të vazhdueshme nga muaji në muaj.

Sipas të dhënave të INSTAT volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin gusht 2018 është 315 mijë tonë, duke u rritur 5.0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në tetëmujorin 2018, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 2.579 mijë tonë, duke u ulur me 1.6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

INSTAT bën të ditur se, në Gusht 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) shënoi shifrën 68 miliardë lekë dhe 48.7% e tyre u transportua me rrugë detare.

Ndërsa si tetëmujor 2018, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) arriti në 621 miliardë lekë dhe 53.9% e tyre u transportua me rrugë detare.

Në vendin tonë peshën kryesore të volumit të punës e mban Porti i Durrësit e më pas vjen ai i Vlorës, Sarandës e Lezhës. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.