Balla kallëzon penalisht Bashën, ish-oficerin Nuhu dhe gazetarin Çollaku

100

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla depozitoi sot në Prokurori kërkesën për fillimin e ndjekjes penale për të gjithë personat e përfshirë në inskenimin e turpshëm të orkestruar dhe të bërë publik nga Lulzim Basha.

Basha reagoi dje ndaj deklaratave të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu, i cili pretendon se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, në prani të deputetit Taulant Balla.

Balla e garantoi opinionin publik se kjo çështje do të jetë beteja që duhet fituar në emër të shqiptarëve që duan një politikë, ku akuzat të ngrihen mbi prova dhe se provave për cilindo është vetëm drejtësia që duhet t’u shkojë deri në fund.

Ai i bëri thirrje Prokurores së Përgjithshme, Prokurorisë së Tiranës, Policisë së Shtetit të marrin të gjitha përgjegjësitë që ju takojnë në zbardhjen e këtij inskenimi të turpshëm.

“E garantoj Lulzim Bashën, gjobaxhiun e rëndomtë të sipërmarrësve, mos guxo të më vendosësh edhe mua gjobë me kusht mospërballjen. Je shumë i dobët për mua Lulzim. Mirë kryetar partie se nuk di ta bësh, duke e degraduar PD në një organizatë banale babalesh. Mos guxo të bësh më as regjizorin, apo skenaristin, sepse qenke për turp”, tha Balla.

Ai paralajmëroi se “nesër këtij kallëzimi do t’i bashkëngjitet si i kallzuar edhe shpifësi profesionist, Edi Paloka”. “Paloka nuk e ka problem të vijë në gjykatë dhe të thotë se ai thotë çfarë i thotë partia, prandaj është i pafajshëm, po sidoqoftë pa këtë shpifës qesharak në bankën e të akuzuarve, kjo komedi e zymtë nuk e merr kuptimin e saj të plotë”, tha Balla.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.