Xhafaj: Paratë do merren brenda vitit që lind fëmija, bonus edhe për binjakët

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ Merita Xhafaj, drejtore e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë e ftuar në një emision televiz ka sqaruar nismën e re të qeverisë shqiptare, e lançuar nga Kryeministri Edi Rama, për “çekun e bebeve”. Xhafaj tha se ky bonos do t’u jepet të gjithë familjeve që shtohen me fëmijë dhe se fokusi i kësaj politike sociale është rritja e numrit të fëmijëve nga familjet e reja.

Xhafaj tha se ajo që lançoi Kryeministri është një politikë e re sociale, lidhet direkt me bonusin që iu jepet nënave dhe familjeve që gëzohen me fëmijë. Familjet e reja bëjnë një numër shumë të ulët fëmijësh dhe ka familje që rezervohen për të bërë fëmijë. Politikat sociale që ndjek Ministria është prioritet, mbështetja financiare e familjeve që numri i popullsisë të qëndrojë në rritje.

Drejtoresha e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë foli edhe për rastet kur nënat lindin binjakë ose trinjakë. Ajo u shpreh se edhe në këto raste do të ketë bonos për lindjet, por ende nuk është caktuar metoda dhe shuma e parave që do të jepet.

Në rastin e binjakëve apo trinjakëve do të ketë bonus për të cilin ne do të punojmë në bazë të buxheteve tona dhe do shohim si do e ndajmë fondin.

E pyetur për ankesat e nënave që nuk e kanë marrë ende bonusin aktual prej 5 mijë lekësh për lindjet, Xhafaj ka thënë se nuk ka një numër të saktë që e disponon Ministria.

Ajo theksoi se po punohet që çdo nënë të mund t’i marrë paratë brenda vitit që ka lindur fëmija.

Nuk ka se si të ketë Ministria numrin e saktë të nënave që nuk kanë marrë bonusin. Nuk kam një përgjigje për të thënë se sa nëna nuk e kanë marrë bonusin. Natyrisht që defektet nxjerrin sfida të tilla. Raportet do të ndërtohen në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore me qëllim realizimin me sukses të kësaj politike. Karshi çdo nëne apo familjeje që bëhet me fëmijë paratë do të merren brenda vitit që ka lindur fëmija. Kjo është një sfidë për të gjithë ne.

Xhafaj gjithashtu tha se mbetet për t’u parë se si do të merren paratë për nënat e reja, pasi këto para mund të merren me këste.

Është pjesë e teknikës që do hidhet në letër për të parë se si do të merren paratë, të ndara me këste apo në një këst të vetëm. E qartë është se do shkurtohet koha dhe dokumentacioni, dhe se paralelisht me këtë fëmijët do regjistrohen menjëherë në maternitet, ky është hapi i parë dhe është një sfidë e madhe sidomos për shtresat që janë në nevojë.

Politikat sociale përfshijnë edhe kujdesin për nënat kur janë shtatzënë. Ekzaminimet që u bëhen fëmijëve janë me rëndësi gjithashtu. Shpresojmë të shkurtojmë sa më shumë burokracitë.

Xhafaj tha se ka një politikë edhe për përzgjedhjen e stafit mjekësor që u shërben qytetarëve. Ajo ka thënë se ka bonuse financiare në rrogë për të gjithë mjekët që pranojnë të lëvizin nga njëri qytet në tjetrin.

Gabimi njerëzor është njëra anë ndërsa ecuria e shtatzënisë është diçka tjetër dhe duhet të shohim kualifikimin në vazhdim të stafit mjekësor. Janë krijuar portale për përzgjedhjen e mjekëve dhe infermierëve. S’po flasim vetëm për ata që janë në Tiranë dhe spitalet këtu, por për të gjitha maternitetet dhe prandaj është bërë një investim i jashtëzakonshëm. Në plan është materniteti i Kukësit, Lezhës dhe Pogradecit. Kjo është politikë sociale që motivon mjekët që të jenë sa më afër pacientëve.

Xhafaj ka folur gjithashtu edhe për rastet e largimit të mjekëve dhe infermierëve në Gjermani, edhe për mbështetjen e grave kryefamiljare.

Pagesat për gratë kryefamiljare janë në rastin e skemës për ndihmën ekonomike. Me asistencën e Bankës Botërore është parë se si mund të mbështeten më mirë këto gra, si edhe ato që janë viktimë e dhunës dhe trafikimit, ato që janë të papuna, por edhe riintegrimi i tyre në tregun e punës.

Duhet gjetur një mënyrë sa më institucionale për të parë politikat sociale që ka Gjermania. Jemi në tentativa për të institucionalizuar bashkëpunimin me ato shtete që kanë vende bosh. Ndërkohë i mirëpresim të gjithë ata që vijnë nga jashtë. Ka bonus për të gjithë ata mjekë që pranojnë të lëvizin jashtë qyteteve.

Drejtoresha e Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, ka komentuar edhe rastin e mjekut Luan Dragusha, i cili u kthye nga SHBA për të punuar në Shqipëri, por përfundoi i arrestuar pak ditë më parë nga Policia e Shkodrës, për t’u liruar 3 ditë më pas për mungesë provash. Xhafaj ka thënë se vendimi u mor nga autoritetet, por të gjithë përkulen përpara mjekëve që kryejnë detyrën me profesionalizëm.

Nuk më takon mua një përgjigje për Luan Dragushën. Vendimi u mor nga organet ligjzbatuese. Verdikti i Gjykatës flet për secilin. Të gjithë mjekët që kryejnë detyrën me profesionalizëm janë të nderuar, dhe ne përkulemi para tyre. Janë këto arsyet pse po bëhen këto investime në infrastrukturën shëndetësore. /m.z/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.