Turizmi kulturor këtë vit surprizues, 730 mijë vizitorë në sitet e trashëgimisë

TIRANË,26 shtator /ATSH-A.ALLA/ – “Turizmi kulturor këtë vit ishte surprizues,nëse nisemi nga të dhënat që ne mbledhim nga sitet e trashëgimisë kulturore dhe muzetë kemi 60% rritje të numrit të turistëve për periudhën 1 janar deri në 31 gusht, shifrat tregojnë se kemi 730 mijë vizitorë në sitet tona të trashëgimisë”, – tha ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, gjatë një interviste televizive.

Ajo tha se, “rekorde të tjera ka shënuar dhe kalaja e Gjirokastrës, që pati ditë gjatë muajit gusht, ku u vizitua nga 1600 vizitorë, Butrinti prej disa vitesh arrin rekorde si 3 mijë deri në 4 mijë vizitorë në ditë, Kalaja e Beratit gjithashtu ka patur 1100 vizitorë, ku nuk kanë munguar vizitorë dhe në Muzeun Marubi, në Muzeun Onufri etj”.

Gjithashtu Kumbaro vijoi se “këto shifra mbi turizmin kulturor janë arritur dhe falë bashkëpunimit të disa ministrive që nga Ministria e Kulturës, ajo e Turizmi, Ministria e Brendshme dhe ajo e Shëndetësisë, të cilat bënë të mundur të merreshin të gjitha masat për mikpritje, informim dhe për një kalendar turistik mjaft të pasur”.

Ajo shtoi se, “kalendari turistik nuk përmban vizita pasive por është një kalendar interaktiv nga 1 qershori e deri tani kemi patur më shumë se 500 aktivitete në gjithë territorin, ku intensiteti ka qënë periudhën qershor-gusht me gati 3 aktivitete në ditë për të gjitha grupmoshat dhe me supriza të cilat më parë nuk i kemi patur siç ishte opera që zbriti në shesh apo siç ishte ansambli që krijojë premiera të dedikuara për sezonin turistik”.

Në fund tha se, “sezoni turistik vazhdon deri më 15 tetor që do të thotë se shtatë ditët e javës sitet e trashëgimisë kulturore dhe muzetë janë të hapura për publikun, pasi shikojmë që ka ende turistë pasi ajo që ne po arrijmë është synimi që sezoni turistik të shkojë përtej tre mujorit dhe objektivi është të shkojmë në 12 muaj sezon turistik, pasi shifrat këtë vit janë shumë të mira pasi turizmi është një ekonomi shumë e rëndësishme për vendin”, – përfundoi Kumbaro. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.