Thaçi dhe Haradinaj takojnë presidentin e Këshillit Europian

PRISHTINE, 26 shtator /ATSH/ – Presidenti i Kosovës, së bashku me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Behgjet Pacollin, u takuan  me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Presidenti Thaçi e falënderoi kryetarin Tusk për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit, duke mbështetur zgjerimin e Bashkimit Europian dhe hapjen e perspektivës europiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Si shteti më proeuropian, Kosova dhe shtetet tjera të rajonit kanë nevojë për qartësi dhe dinamikë të re të procesit të integrimit në Bashkimin Europian”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të bëhen pjesë e mobilitetit në Europë, përmes liberalizimit të vizave dhe pjesëmarrjes në tregun europian.

Në këtë takim është biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave, përmbushjen e reformave dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin drejt familjes së madhe europiane. Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian duhet të përshpejtohet me veprime konkrete. Kosova po e përmbush agjendën europiane”, tha Kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk, vlerësoi se BE-ja duhet të dëshmojë mbështetjen e palëkundur për perspektivën e rajonit dhe se Brukseli përshëndet çdo progres që ka bërë Kosova./KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.