Shqipëria liberalizon vizat me El Salvadorin, nënshkruhet marrëveshja

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në mëngjesin e punës të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në formatin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, me pjesëmarrjen e Komisionerit të BE -së Johannes Hahn. Ministrat diskutuan mbi ecurinë e zbatimit të Zonës Ekonomike Rajonale, perspektivën e integrimit  në BE të Ballkanit Perëndimor, si dhe situatën politike e ekonomike në rajon.

Në fjalën e tij, ministri Bushati theksoi lidhjen e drejtpërdrejtë mes konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe mjedisit të sigurt në funksion të zhvillimit ekonomik të rajonit, si dhe nënvizoi domosdoshmërinë e vullnetit politik për heqjen e barrierave që pengojnë ndërlidhjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, ministri Bushati i kushtoi rëndësi të veçantë domosdoshmërisë së përfshirjes së gjithë vendeve të rajonit në hartën e ndërlidhjes telefonike dhe në zbatimin e angazhimeve për hapjen e pikave kufitare e lehtësimin e lëvizjes mes qytetarëve të rajonit.

Ministri Ditmir Bushati gjatë qëndrimit në Nju-Jork zhvilloi një takim me ministrin për Marrëdhëniet me Jashtë të El Salvadorit, Carlos Castaneda dhe me ministrin e Jashtëm të shtetit të Katarit, Jassim Al-Thani. Me ministrat u diskutua mbi stadin aktual të marrëdhënieve dhe forcimin e tyre si dhe për kandidaturën e Shqipërisë për një vend jopermanent në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Mes ministrit Bushati dhe ministrit Castaneda u firmos dhe një marrëveshje për liberalizimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Marrëveshja ka si qëllim lehtësimin e qarkullimit të lëvizjes ndërmjet dy shteteve. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të shërbejë si një nxitje e mëtejshme për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në kushtet kur dinamikat ekonomike globale kanë reduktuar distancat gjeografike, duke shtuar kështu mundësitë për shkëmbime ekonomike me përfitime të ndërsjella edhe me vende të largëta si Salvadori, me të cilat më parë nuk kemi pasur marrëdhënie të tilla.

Ndërkaq, ministri Bushati ishte i pranishëm në Darkën Transatlantike të organizuar nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, BE-së dhe vendeve partnere. Biseda u përqendrua tek çështjet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.