Më shumë se 57 mijë familje përfitojnë direkt ndihmën ekonomike

101

TIRANË, 26 Shtator/ATSH/- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi se “sot janë më shumë se 57 mijë familje, që përfitojnë direkt ndihmën ekonomike dhe më shumë se 4 mijë familje që përfitojnë sipas kritereve të vendosura nga bashkitë ndihmën ekonomike”.

Nga kryeministria ku u publikua risitë e Buxhetit 2019, ministrja Manastirliu tha se “këto 4 mijë familje përfitojnë ndihmë ekonomike sipas një subvencioni që jepet direkt nga qeveria, i cili është dyfishuar”.

“Një familje para katër vitesh merrte 10 mijë lekë të vjetra, një ndihmë vërtet qesharake, e cila vërtet mund të ndihmonte target më të madh, por nuk sillte asgjë as për mirëqenien, as për zhvillimin e familjes”, – nënvizoi Manastirliu duke shtuar se nuk mund të talleshim me një program, që duhet të ishte një program mbështetjeje për familjet.

Ministrja Manastirliu tha se se “reforma e ndihmës ishte e vështirë sfiduese nuk filloi vetëm gjatë këtij viti. Por, në 4 vitet e para u pilotua në tre qytete të Shqipërisë dhe u pilotua duke patur parasysh tre indikatorë të rëndësishëm; e para që ne t’i japim mundësi çdo familje në vështirësi për të aplikuar pa patur barriera apo pa patur dokumentacionin që pengojnë qoftë në aplikim dhe në përfitimin e ndihmës. Sot nuk ka më kritere skualifikuese për të përfituar ndihmën ekonomike”.

Së dyti, vijoi ajo, familjet që skualifikoheshin për arsye të këtyre kritereve sot janë më shumë se 10 mijë që përfitojnë ndihmë ekonomike për herë të parë në sajë të reformës që ne kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë.

Manastirliu u shpreh se “po punojmë që ndihma ekonomike të mbështesë më shumë gratë kryefamiljare dhe grupe të tjera në nevojë brenda kësaj skeme , gjithashtu dhe programi universal për bonusin e bebes, që lançoi Kryeministri Rama do të ndikojë në mirëqenien e familjeve me ndihmë ekonomike”.

“Do të jenë rreth 2 mijë familje që do të përfitojnë direkt nga ky bonus që do të jepet për lindjen e parë, të dytë, të tretë e më shumë”, – përfundoi ajo./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.