Kreu i policisë së Holandës vlerëson punën e policisë shqiptare

TIRANË, 26 shtator/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Holandës Erik Akerboom deklaron se operacioni ’’OAZ”, ku u godit një grup kriminal që operonte në Shqipëri dhe Holandë tregoi nivelin e lartë të besimit ndërmjet dy policive dhe konfirmoi se do të pasohet nga shkëmbime të mëtejshme informacionesh dhe operacione të tjera të përbashkëta.

Drejtori i Policisë holandeze shprehu falënderime për punën e policisë shqiptare dhe të oficerëve të kontaktit në të dy vendet.

Këtë deklaratë drejtori i policisë së Holandës e bëri gjatë takimit me Drejtorin e Përgjithshëm te Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Në kuadër të takimit të Drejtorëve të Policive Europiane që po zhvillohet në qendrën e Europol në Hagë, Holandë.

Drejtori i Përgjithshëm shoqërohej nga shefi i Zyrës Kombëtare Europol dhe oficeri i kontaktit të Policisë së Shtetit në Europol.

Në fund të takimit Veliu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm Akerboom për një vizitë në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga homologu holandez. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.