FOTO/ Gjiganti ndërkombëtar i hotelerisë “Hilton” hap dyert në Tiranë

199

FOTO/ Gjiganti ndërkombëtar i hotelerisë “Hilton” hap dyert në Tiranë

FOTO/ Gjiganti ndërkombëtar i hotelerisë “Hilton” hap dyert në TiranëGjiganti ndërkombëtar “Hilton” hapi sot zyrtarisht dyert në kryeqytet, duke premtuar një cilësi të lartë në shërbimin e hotelerisë, por edhe një alternativë më shumë për turistët.Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se hapja e një hoteli të tillë me 5 yje, së shpejti do të ndiqet edhe nga të tjerë jo vetëm në kryeqytet, por edhe përgjatë bregdetit.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E enjte, 27 Shtator 2018

 

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Gjiganti ndërkombëtar “Hilton” hapi sot zyrtarisht dyert në kryeqytet, duke premtuar një cilësi të lartë në shërbimin e hotelerisë, por edhe një alternativë më shumë për turistët.

Në inaugurimin e këtij hoteli me 5 yje, ishin të pranishëm figura të rëndësishme të jetës  politike, por jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur me këtë rast, tha se hapja e një hoteli të tillë me 5 yje, së shpejti do të ndiqet edhe nga të tjerë jo vetëm në kryeqytet, por edhe përgjatë bregdetit.

“Dua të shpreh gjithë respektin dhe mirënjohjen për zotërinë, që sot besoj duhet të jetë i lumtur jo se hapi “Hilton”, por se djalin e ka me 5 yje. Besoj se fjalët që ai tha në fund vlejnë më shumë se të gjitha fjalët tona. Kam shumë besim se kjo portë që hapet në botën e hoteleve me 5 yje është larg së qënuri i fundit dhe shumë shpejt ne do të jemi në gjendje për të hapur të tjera hotele jo vetëm në kryeqytet, por edhe përgjatë bregdetit, falë një qasje të re të këtij niveli hotelesh që sjellin shumë më tepër cilësi për turizmin, shumë më tepër të ardhura dhe shumë më tepër dije dhe kulturë punë në hotele”, – vijoi Kryeministri.

Rama e konsideroi çeljen e “Hilton Garden” si një vepër që shënon një moment të rëndësishëm në historinë e zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Përfaqësuesi i kompanisë ndërtuese së hotelit, Erdit Selmani mbajti fjalën e rastit, ndërsa theksoi se klima e biznesit ka ndryshuar vitet e fundit.

“Sot për herë të parë kemi treguar se një kompani shqiptare mundet dhe ja ka dalë të ndërtojë një hotel ndërkombëtar me standarde rigoroze, siç është është një markë globale dhe lider që është marka “Hilton”. Klima e biznesit në Shqipëri ka ndryshuar, sidomos kur flitet për turizmin. Kemi qenë shumë të lumtur që prej fillimit të këtij projekti, fokusi i qeverisë ka qenë në rritjen e vlerave dhe avantazheve që ka turizmi, për një vend si Shqipëria, duke krijuar lehtësira për këtë qëllim. Një brend i shtohet Shqipërisë dhe një kryeqyteti si Tirana, që po ndryshon çdo ditë e më shumë”, – tha Erdit Selmani.

Ai preku të ftuarit me fjalët dedikuar babait të tij, ambicies dhe punës së palodhur për të  punuar në këtë projekt.

“Hilton Garden” do të shërbejë për evente, restorante, ambiente për aktivitete, ndërsa synohet zgjerimi i aktivitetit. Hoteli me 5 yje ka 140 dhoma dhe do të jetë një adresë cilësore, jo vetëm për turistët, por edhe për aktivitete të ndryshme, të cilat do ta gjallërojnë edhe këtë lagje të Tiranës.

z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.