Bushati-Bashës: Kur biznesi paguan tek kunati e quan të ndershëm, kur kontraktohet nga shteti, të inkriminuar

TIRANË, 26 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Kur kompania “Gener 2″ pagoi 220 milionë euro për kunatin e Lulzim Bashës, ajo konsiderohej sipërmarrje e ndershme nga ky i fundit, ndërsa kur kontraktohet nga shteti për të ndërtuar rrugë, duke hapur edhe vende pune, është e inkriminuar”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati publikoi sot rastin e parë konkret të lidhjeve të kompanisë së kunatit të Lulzim Bashës me biznesmenë, të cilët tani konsiderohen si “oligarkë” nga vetë kreu i PD-së.

“Prej kohësh, brenda PD-së thuhet haptas se e gjithë opozita është vendosur në shërbim të familjes së Lulzim Bashës, konkretisht në shërbim të kunatit, Erjon Isufi. Strategjia që Lulzim Basha përdor është e qartë: sulmo sipërmarrësit për të derdhur para në arkën e kompanisë së kunatit. Kur nevojiten më shumë lekë, Luli i sulmon me emër, në media”, tha Bushati.

Ai solli si shembull rastin e kompanisë “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulaj, e cili u akuzua disa ditë më parë nga Lulzim Basha si e inkriminuar, pasi pritet të ndërtojë rrugën Tiranë – Thumanë – Vorë.

Por, Bushati thekson se, e njëjta kompani, në pronësi të të njëjtit individ, vetëm brenda një viti ka paguar plot 220 milionë lekë te kompania e kunatit të Lulzim Bashës.

“Ndoshta, për kunatin dhe Lulin, që deri tani kanë arkëtuar 11 milionë euro nga “oligarkët”, 220 milionët e ‘Gener 2’ nuk mjaftojnë. E prandaj hedhin baltë mbi sipërmarrësit për të vendosur gjoba të reja”, u shpreh Bushati.

Bushati theksoi se “PS do të vijojë ditë pas dite të sjellë raste të tjera që vërtetojnë se Basha nuk e ka hallin as te njerëzit, as te opozita, por te xhepi i tij dhe i kunatit.

“Prandaj edhe kjo fushatë e fundit e Lulit nuk është asgjë më shumë se sa gjobëvënia e radhës ndaj sipërmarrjes. Për të paguar më shumë para te kompania e kunatit”, shtoi Bushati.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.