Akuzat e PD, Balla kallëzon penalisht Lulzim Bashën

TIRANË, 26 shtator/ATSH/ – Pas akuzave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me videon e publikuar nga oficeri i policisë, Emiliano Nuhu ka ardhur edhe reagimi kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili mohoi akuzat duke theksuar se gjatë vitit të fundit nuk ka qenë në qytetin e Krujës.

Balla i cilësoi akuzat e ngritura si sajesa dhe se oficeri po i bën të gjitha këto për të përfituar azil politik.

Statusi i plotë i Taulant Ballës:

“Hedh një i marrë një gurë në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, thotë populli!

Por jo, kjo që po shoh sot është më keq.

“Të mençurit” e dinë fare mirë çfarë marrëzie është kjo shpifje që janë turrur ta pasqyrojnë me një zell të madh, vetëm pasi e nxora unë vetë!

Kjo sajesë e ndyrë dhe e verifikueshme pa vështirësi nga çdokush që publikon lajme, ka një qëllim të qartë: Të çojë ujë në mullirin e prishur të Lulzim Bashës! Unë s’kam shkelur as në Krujë gjatë vitit të fundit dhe jo më në komisariatin e Krujës i armatosur. Unë e provoj lehtësisht ku kam qenë atë ditë, që maskarai i paguar, apo i paturp, apo të dyja bashkë, ka bërë këtë letër për të përfituar azilin politik.

Dhe do ta provoj në gjyqin e radhës që do të kem me Lulzim Bashën për këtë çështje. Raportet mjekësore nuk do ta shpëtojnë Lulzimin nga pasojat juridike të gënjeshtrave të tij.

Ndërsa disa mediave hiena që ushqehen me mishra të ngordhur u kam lënë Zotin, se tjetër s’kam ç’u them!/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.