Thaçi: Kosova mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën në shtetndërtim

PRISHTINË, 25 shtator  /ATSH/ – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ka zhvilluar shumë takime me krerë të shteteve të ndryshme të botës.

Në ndërtesën e OKB-së, Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim me Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, me të cilën ka bashkëbiseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale, rritjen e shkëmbimit tregtar si dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova është mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme në shtetndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euroatlantike, veçmas në BE dhe NATO.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, tha Presidenti.

Thaçi dhe Presidentja Grabar-Kitaroviq kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi, do të vazhdojë takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral, të shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. /e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.