Propozimet e Bashës gjobvënie ndaj biznesit, kunati i tij me 6 kompani

TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka akuzoi kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se gënjeu kur deklaroi se kunati i tij nuk ka “kompani konsulence” duke theksuar se ky i fundit zotëron 6 të tilla.

“Kunati i tij, Erion Isufi zotëron jo një, por plot gjashtë kompani reklame dhe konsulence: “Landmark Communicatins”, “Landmark Technologies”, “Landmark Premium Print”, “HR Solutions”, “Albania Internet” dhe “Blacksheep”. “A e dini se vetëm “Landmark Communications” dhe “Premium Print”, që prej themelimit kanë gjeneruar mbi 11 miliardë lekë. Vetëm vitin e kaluar, xhiro e deklaruar e këtyre kompanive arriti në 2,2 miliardë lekë, nga të cilat fitimi i deklaruar vetëm 40 milionë lekë të vjetra”, tha Bushka, duke hedhur poshtë deklaratat e Bashës.

Sipas deputetes, Bushka ligji për biznesit i propozuar nga PD, synon që Basha t’i  gjobisë këta të fundit.

“Koha e plaçkitjes së biznesit dhe e shkeljes me këmbë të sipërmarrjes ka perënduar së bashku me pushtetin e Partisë Demokratike. Të gjitha këto para që siguron kjo ‘perandori’ konsulence janë siguruar direkt, duke punuar ekskluzivisht me bizneset më të mëdha në vend, të cilat sot, në një tentativë të qartë gjobvënie ndaj biznesit janë vendosur në ‘listën e zezë’ të Lulit”.

“Si ka mundësi që ndërsa Luli përbetohet se do të pastrojë vendin nga “oligarkët”, kunati, gruaja dhe e gjithë familja e tij pasurohen përditë e më shumë duke punuar me të njëjtët persona? Shumë nga biznesmenët, të cilët Luli i ka grupuar bashkë në listën e tij të zezë, prej vitesh derdhin para direkt në xhepat e familjes së tij, përmes kontratave që kanë me kompanitë e kunatit. Po përse pra këto dy standarde? Përse Luli nga njëra anë mbush xhepat dhe nga ana tjetër del me shpatë në dorë kundër biznesit”, pyet deputetja e PS-së.

Duke shtruar disa çështje për përgjigje, Bushka ngre pikëpyetje nëse fushata e nisur nga kryetari i opozitës, ndaj të njëjtëve persona që e kanë ndihmuar të pasurohet, është një fushatë gjobvënie, përmes të cilës Basha pretendon të blejë heshtjen e bizneseve.

“A mos vallë Lulzim Basha po bën pikërisht atë për të cilën akuzohet brenda PD-së: Sulme nominale mbi biznesin për të vjelur taksën e heshtjes së tyre! A mos vallë ky persekutim, stil sipas vitit 46, kundër kulakëve të anatemuar sot si oligarkë, është një sulm me maska politike i opozitës së bashkuar për të detyruar bizneset të paguajnë? Apo mos vallë kunati i Lulzim Bashës kërkon më shumë prej tyre, nga sa merr rregullisht, dhe për këtë përdor altoparlantin e Partisë Demokratike?” – shprehet Bushka.

Të gjithë e dimë, tha deputetja socialiste, “që kjo ishte një praktikë e zakonshme pune në kohën e qeverisë së PD apo në kohën e kryebashkiakut të fjetur të Tiranës”. Në atë kohë, sipas saj, përsa kohë derdhje rregullisht haraçin në dyert e partisë, nuk kishte polic apo agjent tatimor që të të dilte përpara, por kjo kohë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.